E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha- aktivistëve PD: Aplikojmë në BE, brenda qershorit

Kryediplomati shqiptar e konsideroi “politikë të bllofit” faktin që institucionet ndërkombëtare apo përfaqësues të rëndësishëm të BE i kërkuan qeverisë që të presë edhe “për pak muaj” për aplikimin e statusit të kandidatit. 

DIBER- Ministri i Jashtëm Basha, në një aktivitet politik të PD-së rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për të aplikuar brenda mandatit të presidencës çeke për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Falë arritjeve, Shqipëria është sot një vend ndryshe, një vend i cili është bërë i besueshëm dhe që për pak javë zë me dinjitet vendin e tij në NATO si anëtare me të drejta të plota. Falë këtij besimi dhe përkundër spekulimeve të politikës së bllofit, qeveria shqiptare do të aplikojë brenda këtij mandati për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, - tha ai dje. Këtë deklaratë ministri i Jashtëm e bëri në aktivitetin e organizuar me rastin e 18-vjetorit të themelimit të PD-së së Dibrës, ku ai mori pjesë së bashku me disa deputetë dhe zyrtarë demokratë. Sipas kryediplomatit shqiptar, ndryshimi i sjellë nga PD-ja ka garantuar besim te institucionet ndërkombëtare ndaj qeverisë aktuale, besim i cili do të bëjë të mundur që shumë shpejt të finalizohet me sukses edhe procesi i heqjes së vizave me qytetarët shqiptarë. “Ndryshimi ynë është realitet i prekshëm dhe jo gënjeshtra boshe si ato që emeton dhe marketon kryetari aktual i PS-së. Rama nuk përfaqëson të ardhmen, por të shkuarën e dhimbshme nga e cila shqiptarët u shkëputën përfundimisht më pak se 4 vite më parë”, - u shpreh dje Basha në Dibër.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›