E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Aksionet e policisë të suksesshme, s’ka asnjë ankesë

12/01/2011  

Deklarata e ministrit të Brendshëm në analizën 1-vjeçare të Gardës së Republikës

TIRANË- Në analizën 1-vjeçare të Gardës së Republikës, ministri i Brendshëm Lulzim Basha vlerësoi rezultatet e operacionit në shkallë të gjerë në të gjithë vendin që po kryen Policia e Shtetit për forcimin e rendit dhe sigurisë. Mes të tjerave ai u shpreh se “Plani i masave i vënë në veprim nga policia në të gjithë territorin e vendit ka për qëllim forcimin e kontrollit të territorit, identifikimin e personave në kërkim si dhe mbajtjen nën kontroll të fenomeneve të tilla si armëmbajtja pa leje apo akte të tjera në kundërshtim me ligjin. Ky plan masash përmbush një nga objektivat kryesorë të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Brendshme që janë rendi dhe siguria anembanë vendit. Siguria është një e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese e çdo qytetari të Republikës dhe unë si ministër i Brendshëm jam i vendosur dhe i jap mbështetjen e plotë policisë në këtë operacion, i cili vazhdon”. Për sa i takon interesimit të medies mbi akuzat e opozitës për keqtrajtim të qytetarëve gjatë këtyre operacioneve Basha u shpreh: “Nuk ka asnjë ankesë të depozituar gjatë ditëve që plani special i masave ka nisur dhe natyrisht që në çdo rast nëse ka ankesa të tilla do të trajtohen sipas ligjit, por ju garantoj se Policia e Shtetit po kryen detyrat e saj me profesionalitet dhe përkushtim të lartë”.

Analiza e Gardës

Këto qëndrime ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i shprehu pas analizës së veprimtarisë gjatë vitit 2010 të Gardës së Republikës. Në këtë analizë, Basha përgëzoi Gardën e Republikës për përmbushjen me sukses të plotë të objektivit kryesor të saj, garantimin e sigurisë së institucioneve kryesore të vendit dhe e personaliteteve shtetërore dhe politike të vendit dhe të huaja. Basha vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e dhënë nga Garda e Republikës gjatë situatës së përmbytjeve në Shkodër, e po kështu përballimin gjatë vitit të kaluar të një situate anormale sa i përket sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë për shkak të bllokimit trejavor të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Basha evidentoi si prioritete kryesore për veprimtarinë në vijim të Gardës së Republikës, rritjen e mëtejshme të nivelit profesional nëpërmjet trajnimit dhe ritrajnimit të vazhdueshëm të të gjithë personelit të saj, vazhdimin e programeve të investimit për infrastrukturën dhe bashkëpunimin e plotë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kombëtare.

Rezultatet e aksioneve

Është bërë i mundur arrestimi dhe ndalimi i 55 personave të akuzuar për krime të ndryshme.

Janë kapur në flagrancë 37 autorë të veprave penale.

Janë kapur 23 persona të shpallur në kërkim.

Janë bllokuar 16 armë zjarri të llojeve të ndryshme, të cilat mbaheshin pa leje.

Për shkelje të konstatuara janë shoqëruar në polici 196 automjete të llojeve të ndryshme dhe në 331 raste janë marrë masa administrative.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›