E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria nuk heton vërtetësinë e raporteve të avokatëve të Gërdecit

12/01/2011  Mungesat e avokatëve mbrojtës justifikohen me raporte mjekësore, të gjithë sëmuren

TIRANË- Ende mbetet enigmë nëse avokatët e gjyqit të Gërdecit gënjejnë apo jo kur paraqesin raportet e tyre mjekësore. Skandali më i madh i gjyqeve moderne shqiptare po merr përmasa tragji-komike, kur një herë mungojnë gjyqtarët dhe shumë herë avokatët që s’vijnë në sallë paraqesin raporte mjekësore. Megjithëse herë pas here përfaqësues të Prokurorisë kanë pohuar në procesin gjyqësor të Gërdecit se do të hetojnë rrugën e marrjes dhe vërtetësinë e raporteve mjekësore të mara nga avokatët, deri më tani organi i akuzës kryeqytetase nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të parë nëse raportet janë të vlefshëm apo jo. Njoftimi zyrtar i gjykatës së Tiranës për bllokimin e çështjes “Gërdeci” është një nga rastet e pakta kur një gjykatë i bën apel nëpërmjet medias një institucioni tjetër, sikurse është Dhoma e Avokatisë, për të marrë masa ndaj avokatëve që mungojnë. Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka akses të kërkojë arsyet se përse ky proces nuk po zhvillohet, duke mos ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka inspektorë që paguhen për të identifikuar arsyet se pse proceset zvarriten dhe të shohin nëse gjykata i ka ndjekur të gjitha hapat e ligjshëm deri në situatën ku ndodhet procesi dhe sërish pa ndikuar, të kërkojnë zgjidhje. Paraje, procesi për tragjedinë e Gërdecit është shtyre për të 16-ën herë në gjykatën e Tiranës. Motivi ka qenë i njëjtë, mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës. Këtë radhë në seancë nuk u paraqitën 5 mbrojtës ligjore, çka ka sjellë jo vetëm reagimin e prokurorëve, por edhe të vetë institucionit të gjykatës. Ndërkohë që në seancën e djeshme në gjykatën e Tiranës në gjyqin e Gërdecit mungonin avokatët Maksim Haxhia, Mark Pëllumbi, Alfred Balla, Elira Kokona, si dhe Behar Pipero. Madje ky i fundit ka dërguar raportin e katërt në këtë gjyq me arsyetimin e pamundësisë shëndetësore dhe paaftësisë për të ushtruar profesionin e tij deri në datën 13 janar. Ndërkohë në seancë kryesuesi i trupit gjykues Ridvan Hado i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë për të verifikuar raportin e avokatit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›