Basha: Akuzat e prokurorisë, absurd nga sirtarët e Edi Ramës

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha tha të enjen në Kuvend se akuzat e Prokurorisë ndaj tij për abuzime me fondet në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, janë një absurd i stisur në zyrat e kryetarit të PS-së, Edi Rama. "Kur lexoj akuzat që kjo Prokurori ngre kundër një ish-deputeti, një ish-ministri dhe aktualisht Ministër i Jashtëm, "për pabarazi në tendera", "shkelje të barazisë në tendera", etj nuk di nëse deputetë të opozitës e morën ndonjëherë mundimin të lexojnë dokumentat përkatëse dhe të shikojnë që përzgjedhja e konsulentit nuk është bërë me tender. Si mund të shkelet barazia në tendera kur vetë përzgjedhja nuk bëhet me tender. Cili është qëllimi i këtij mashtrimi?", tha ministri Basha duke iu drejtuar deputetëve të majtë në sallën e parlamentit. Ndërsa përsa i takon akuzës për "shpërdorim detyre", ai tha se "si mund të shpërdorohet detyra kur vetë Këshilli i Ministrave, vendim pas vendimi, ka sanksionuar veprimtarinë e agjensive përkatëse. Është e qartë se kemi të bëjmë me një absurd, me një absurd të stisur në zyrat e Edi Ramës dhe fatkeqësisht të ndërmarrë nga Prokuroria, segmente të së cilës kanë rikthyer prokurorinë politike në Shqipëri", tha ministri Basha sot në parlament.
...