“Ëndrra konstruktive”, artistja italiane Donatella Aurora Serritella (George Sand) vjen me një ekspozitë në Galerinë e Akademisë së Arteve
Simboli i femrës në gravurat italiane
“Ëndrra konstruktive”, e artistes italiane Donatella Aurora Serritella titullohet ekspozita që është çelur dje në Galerinë e Akademisë së Arteve në Tirane. Ajo do të qëndrojë e hapur deri në datën 24 dhjetor dhe vjen e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me institucionin e lartpërmendur. Në ekspozitë do të ekspozohet për publikun shqiptar një antologji e punimeve të artistes, midis të tjerave mallëngjyesi “Njeriu që nuk arrin të fluturojë”, brerësi “Malinconia e mbetur pezull” si dhe i gëzueshmi “Të dashuruarit”. Artistja Donatella Aurora Serritella, e cila në viti 2005 mori pseudonimin Gorge Sand, ka lindur në Sondrio në vitin 1960 dhe është formuar, duke frekuentuar si fillim Institutin e Arteve, pra Akademinë e Arteve të Bukura të Romës. Duke ndjekur këshillat e M° U. Montefiore , i cili ka vërejtur tek nxënësja një predispozicion natyral ndaj vizatimit, Donatella Aurora Serritella u zhyt në aventurën e gravurës dhe e ka drejtuar instiktivisht në një rrugë pa mëshirë dhe pa e tepruar në përshkrime, të pasur, nervoze, të shpenguar, të thellë dhe të dyshimtë, metaforë e anktheve. Vepra e saj, e cila përshkruan dimensionin ekzistencial të njeriut të humbur, është e mbushur nga kërkimi kozmik dhe identiteti, që nuk përkon me ndryshimin njerëzor dhe mos përkimin e identitetit të ndryshueshëm njerëzor.
Fillimisht diçka në lidhje me përmbajtjen e ekspozitës suaj?
Kjo është një ekspozitë, me 32 punime, në të cilën ekspozohen punime që i përkasin harkut kohor të një viti. Siç edhe mund ta shihni ka punime të tilla si “Njeriu që nuk arrin të fluturojë”, “Malinconia e mbetur pezull”, “Të dashuruarit” e të tjera. Përsa i përket punimit të parë dua të them se ajo ka qenë pretendente në 40 punimet më të mira finaliste, për çmimin “Artemisia”, organizuar vitin e kaluar. Personazhi në thelb është gjithmonë në kërkim të identitetit të vet shpirtëror dhe këtë gjë nuk e ka të lehtë ta gjejë, pasi është një rrugëtim i gjatë dhe i lodhshëm. Po ashtu ka edhe punime të tjera të miat të cilat, duke qenë në një gjini jo shumë të njohur këtu në Shqipëri, pra gravura, mendoj dhe shpresoj që të pëlqehen dhe të lënë një ndikim te shqiptarët.
Si ju lindi ideja, pra si erdhi kjo ekspozitë e juaja në Shqipëri?
Gjithçka erdhi në sajë të njohjes që unë kam me drejtoreshën e Institutit Italian të Kulturës, falë së cilës arrita të sjell këtë ekspozitë. Mbi të gjitha jam e lumtur që prezantoj në vendin tuaj këto punime të miat, të cilat në fakt i përkasin një gjinie arti, e cila njihet ndoshta pak nga publiku shqiptar. Ndihem sa e lumtur aq edhe e emocionuar, për faktin pasi shpresoj që ato të mirëpriten.
Ajo që të bie më shumë në sy në punimet tuaja është figura e gruas. Pse kjo zgjedhje?
E kam bërë këtë zgjedhje pasi gruaja, me atë çka përfaqëson është simboli i jetës. Gjithashtu, ajo përmban në vetvete vlerat e shenjta të familjes dhe përveç vlerave fizike tek ajo mbarten vlerat shpirtërore, që janë edhe më të rëndësishmet.
Duke pasur parasysh këto vlera që sapo thatë, çfarë përfaqëson nudoja tek figura e femrës që paraqitet në punimet tuaja?
Ajo çka dua të them që në fillim është fakti që në art nudizmi nuk është provokacion, pra nuk është ky qëllimi i bërjes së punimeve nudo dhe qëllimi i asaj që vetë figura e femrës përfaqëson apo përcjell te publiku. I gjithë synimi i punimeve të mia është zhveshja nga ato maska mentaliteti ndoshta me qëllim që të dalë në pah pastërtia shpirtërore dhe sinqeriteti i femrës me të gjitha vlerat e saj.
Diçka në lidhje me aktivitetin tuaj në Itali e më gjerë?
Në vendin tim kam një atelie apo studio timen, në të cilën punoj. Në më të shumtën e rasteve më pëlqen që të “arratisem” në këtë studio dhe të punoj natë e ditë aty, pa u bërë shumë reklamë punimeve të mia. Por kuptohet që kam organizuar edhe ekspozita të ndryshme me kolegë të mi. Dhe në fund dua t`i uroj vetes sime që kjo ekspozitë të mirëpritet nga publiku shqiptar.
...
...