Basha-Ando:Marrëdhëniet Shqipëri-Japoni, të shkëlqyera

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha priti Ambasadorin e Japonisë Hiroyasu Ando, me rastin e akreditimit të tij si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Shqipërisë. Drejtoria e Shtypit në ministrinë e Jashtme bëri të ditur se në këtë takim, ministri Basha vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, marrëdhënie që shënuan kulmin me vizitën e Kryeministrit Berisha në Japoni, në shkurt 2008 si dhe shprehu falënderimet për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit. Basha vlerësoi interesimin e kompanive japoneze në sektorët e energjetikës, fushat minerare, teknologjisë së informacionit, etj dhe shprehu interesimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur projektet e tyre në një realizim sa më të suksesshëm. Ambasadori japonez Ando vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, përgëzoi arritjet e Shqipërisë në proceset e integrimit dhe siguroi vazhdimësinë e mbështetjes së Shqipërisë nga qeveria japoneze. Në veçanti, ai vuri në dukje se Japonia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe në 2008 qeveria japoneze afroi një ndihmë prej 3 milion USD për Kosovën, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen.