Basha pret Ambasadorin japonez: Marrëdhëniet tona të shkëlqyera

Tiranë, 15 Janar, 12:53, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha priti në një takim Ambasadorin e Japonisë Hiroyasu ANDO, me rastin i akreditimi të tij si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Shqipërisë.
Ministri Basha vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, marrëdhënie që shënuan kulmin me vizitën e Kryeministrit Berisha në Japoni, në shkurt të vitit të kaluar. Ministri shprehu falënderimet për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit.
Gjatë takimit, Ministri Basha vuri në dukje reformat e ndërmarra nga Shqipëria duke vënë theksin tek politikat dhe reformat ekonomike. Iniciativa “1 euro”, regjistrimi i biznesit në një sportel të vetëm dhe eliminimi i shumë tarifave kanë krijuar një klimë mjaft të favorshme për investimet, provë e qartë kjo e vendosmërisë së qeverisë shqiptare e cila nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor në fushën e biznesit ka krijuar të gjitha lehtësirat për investitorët e huaj.
Në këtë kuadër ai vlerësoi interesimin e kompanive japoneze në sektorë si energjetika fushat minerare, teknologjia e informacionit etj dhe shprehu interesimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur projektet e tyre në një realizim sa më të suksesshëm. Ministri shprehu edhe një herë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin dhe për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet më Japoninë.
Ambasadori japonez nga ana e tij vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ai përgëzoi arritjet e Shqipërisë në proceset e integrimit dhe siguroi vazhdimësinë e mbështetjes së Shqipërisë nga qeveria japoneze.
Në veçanti ai vuri në dukje se Japonia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Vitin e kaluar qeveria japoneze afroi një ndihmë prej 3 milion USD për Kosovën dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë edhe në të ardhmen.
Gjithashtu Ambasadori falënderoi për kujdesin që qeveria shqiptare i kushton marrëdhënieve me Japoninë dhe mbështetjen e kandidaturave të saj në organizatat ndërkombëtare.
NOA