E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI kushte Bashkisë TR

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka shprehur shqetësimin e tij mbi raportin e fundit të organizatës Freedom House, ku theksohet se Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara për të drejtat politike dhe civile. “Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka mbajtur qëndrim shumë të qartë për këto çështje, por edhe për probleme të tjera, të cilat kanë cenuar rëndë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe njëkohësisht kanë cenuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, angazhohet për të vazhduar betejën e saj, në mbrojtje të demokracisë”-theksoi Meta.

Duke folur rreth votës së tyre kundër të këshilltarëve të LSI-së, në Bashkinë e Tiranës për buxhetin e vitit 2009, Meta nënvizoi se “nuk e kuptoj pse i tremb transparenca këta këshilltarë apo dhe vetë Kryetarin e bashkisë”. Kreu i LSI-së, theksoi se vota e këshilltarëve të kësaj force politike do të ishte pro, vetëm atëherë kur buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, “e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirëpërdorim në funksion të komunitetit”.

“Në rast se devocioni i tyre injorohet për shkak se kryetarët e bashkive kërkojnë të kenë një xhep më vete për fushatë elektorale prej 6 milion eurosh dhe nuk duan të japin asnjë llogari se ku do ti shpenzojnë, ky nuk është një problem i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përkundrazi, është detyra jonë dhe e çdo të zgjedhuri të mbrojë edhe qindarkën e fundit të taksave që paguan dhe qytetari më i thjeshtë në këtë qytet, apo në çdo qytet dhe në çdo komunë të Shqipërisë”-vijoi më tej Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›