E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Askush nuk do të lejohet të marrë peng procesin e heqjes së vizave

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, paralajmëroi sot një operacion gjithëpërfshirës për çrrënjosjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. “Policia e Shtetit nuk është dhe nuk do të jetë e izoluar në operacionin gjithëpërfshirës që nis sot dhe ndal me çrrënjosjen e çdo rrënje kanabis në qarkun e Gjirokastrës”, deklaroi nga qyteti i Gjirokastrës, ministri Basha. Sipas tij, prindërit e këtyre fëmijëve nuk janë të izoluar, këta fëmijë nuk janë të izoluar, fermerët e Lazaratit nuk janë të izoluar. Ai tha se të izoluar janë dhe do të jenë dhe prapa hekurave ata që e mbollën këtë tregti dhe që përfitojnë nga kjo tregti, ai grusht njerëzish do të ndjejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballet me drejtësinë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në muajt që vijnë. “Ne do të izolojmë dhe do të godasim tregtarët, mbjellësit, trafikantët e vdekjes, por ne do të mbështetemi tek komuniteti lokal, tek burrat dhe gratë e ndershme dhe punëtore të këtij qarku, të këtij qyteti, të Komunës së Lazaratit dhe të fshatit Lazarat, për të arritur një objektiv që sot është po aq i rëndësishëm sa dje, por me një çmim të madh mbi kokë”, siguroi ministri i Brendshëm. Sipas tij, “askush nuk do ta mbajë mbi vete peshën e marrjes peng të fëmijëve tanë, askush nuk do të lejohet të marrë peng procesin e heqjes së vizave”. Sëbashku me Ministrin e Brendshëm, në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së Robert Bosh, dhe deputetët e Qarkut të Gjirokastrës, Genc Ruli dhe Spiro Ksera, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›