Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miraton projektligjin për përdorimin e tokave bujqësore
Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi sot projektligjin “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”. Kryetari i këtij komisioni, Jemin Gjana, tha se projektligji parashikon ngritjen e një Komisioni, që bën çdo vit, brenda 15 shtatorit, verifikimin e sipërfaqeve të tokave të pakultivuara për çdo fshat, verifikim i cili bëhet duke u bazuar në këqyrjen fizike të sipërfaqes së tokës, në të dhënat kadastrale dhe në informacionin e siguruar nga vetë pronari i saj. Sipas tij, projektligji i ri, parashikon dhënien me qira për mbjellje të të gjitha tokave të pakultivura. “Në këtë kontekst, tokat e klasifikuara si toka të pakultivuara, u jepen me qira të tretëve, vetëm për kultivimin e bimëve të arave, për jo më shumë se 5 vjet dhe pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk ka drejtë të bëjë kërkesë për kultivimin e kësaj toke deri në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratën përkatëse të qirasë”, bëri të ditur kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.