Shfaqet në Durrës filmi për Çamërinë
25/03/2010 Qytetarët durrsakë kanë ndjekur këto ditë për herë të parë premierën e filmit të ri dokumentar "Endrra e Çamërisë" mbrëmë në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit. Me skenar të Enver Kushit, regji të Kujtim Gjonajt dhe nëpërmjet kamerës së Gavrosh Haxhihysenit, filmi solli edhe njëherë përpara artdashësve tragjedinë e madhe të këtij komuniteti, i cili që nga viti 1913 e deri në 1945 përjetoi periudhën e spastrimit etnik. Të dëbuar nga trojet e tyre, çamët rifilluan jetën në Shqipëri, por kujtimi i shtëpive, trojeve dhe varreve të të parëve, vazdhon të mbetet i ndezur. Zëri tragjik i Margarita Xhepës dhe këngët e vallet çame u pritën me lot e duartrokitje nga të pranishmit, ndër të cilët deputetë, politikanë dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Në fund të shfaqjes, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, njëkohësisht një nga sponsorët e filmit, u shpreh se ky film është një ngjarje e rëndësishme, duke lëshuar njëkohësisht edhe mesazhin e bashkimit për hir të çështjes së madhe të këtij komuniteti.