Basha: Bashkë drejt sfidave të reja – t’i kthejmë ato në shanse për demokratët dhe të gjithë shqiptarët
Në përfundim të mandatit plebishitar, Kryetari i PD falënderon demokratët: “Të bashkuar dhe të vendosur le të ecim së bashku drejt sfidave që na presin dhe ti kthejmë ato në shanse dhe mundësi për demokratet dhe gjithë shqiptarët!”
Kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha falënderoi dje simpatizantët dhe votuesit demokratë për mbështetjen dhe urimet për fitoren e tij në drejtimin e partisë, pas dorëheqjes së liderit historik Sali Berisha. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Basha teksa falenderon mbështetësit i bën thirrje që së bashku të ecin drejt sfidave të reja. “Të dashur vëllezër dhe motra anëtare te familjes tone demokrate, të nderuar zonja dhe zotërinj, militantë , mbështetës, simpatizantë dhe votues të Partisë Demokratike, të dashur bashkëqytetare e bashkëkombës, ju falenderoj me mirënjohje të thellë për urimet, përgëzimet dhe mbështetjen tuaj përmes mijëra mesazheve dhe postimeve. Të bashkuar dhe të vendosur le të ecim së bashku drejt sfidave që na presin dhe ti kthejmë ato në shanse dhe mundësi për demokratet dhe gjithë shqiptarët! Përshëndetje të përzemërta, Lulzim Basha”, shkruan Basha në faqen e tij zyrtare të rrjetit social Facebook. Lulzim Basha u zgjodh në krye të PD sipas parimit “një anëtar – një votë”, nga votat e 41 532 anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët iu drejtuan kutive të votimit 4 ditë më parë. Basha fitoi me 80.38% të votave të anëtarësisë, ndërsa vetëm 19.61% të votave kanë shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi. Në daljen e tij për mediat pas zgjedhjes në krye të PD, Basha u zotua se opozita e drejtuar prej tij do jetë ballore dhe alternative, ku shqiptarët do mund të gjejnë përkrahje. “Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha. Por gjatë rrugës tonë 23 vjeçare kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur, jemi përballuar me sukses dhe kemi fituar. Ne do të ndërtojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore, por edhe alternative. Për çdo problem, në çdo sektor, shqiptarët do shohin alternativën, projektet dhe zgjidhjet tonë. Do të jemi çdo ditë kudo me qytetarët, elitat lokale dhe mediat në mbrojtje të interesave publike si dhe me të përndjekurit, pronarët, biznesin e vogël dhe të mesëm, botën akademike, gratë shqiptare, rininë, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari që ndihet i cenuar nga pushteti politik i votës së deformuar dhe të vjedhur dhe besimit të përdhosur të 23 qershorit”, deklaroi Basha. Por, drejtimi i një force politike si PD e cila ka bërë historinë në Shqipëri, kërkon kurajo të fortë, por edhe vizion. Basha e ka të zgjidhur këtë, pasi kurajo dhe shtysë për të përbën qëndresa historike e themeluesve, Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, te energjia e pamatë e militantëve dhe anëtarëve, te përvoja e drejtuesve sot e ndër vite, si dhe te pasuria e vlerave të lidershipit historik, Sali Berisha.
Gara në PD sipas parimit “një anëtar – një votë”, është vlerësuar si më e mira e zhvilluar ndonjëherë nga një forcë politike në Shqipëri, ku anëtarësia e gjerë demokrate shprehu me votë preferencën për një nga dy kandidatët zyrtarë në garë, për atë që, anëtarësia e PD vlerëson se ndjehet më e sigurt dhe më pranë sukseseve të ardhshme.