Kryetari i PD-së Lulzim Basha/Liderët në rajon: “Zgjedhja juaj kaloi nëpër një proces demokratik”
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar të marrë mesazhe urimi nga liderë dhe personalitete rajonale. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në mesazhin e tij të urimit ndër të tjera shkruan: “Zgjedhja Juaj për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë nga ana e anëtarëve të kësaj partie shpreh vullnetin dhe dëshirën e tyre, që partia nën udhëheqjen Tuaj të vazhdojë të kultivojë vlera dhe të jetë një faktor mjaft i rëndësishëm për demokratizimin e mëtutjeshëm të Republikës së Shqipërisë”. Partia Demokratike e Shqipërisë, si parti opozitare e ka një pushtet shumë të fuqishëm, pushtetin moral, të cilën Ju si kryetar do të dini që ta artikuloni me veprimet e Juaja politike. Duke ju uruar zgjedhjen Tuaj për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, uroj për një bashkëpunim të ndërsjellë partiak gjë që do të kontribuonte shumë në ecjen e proceseve përpara. Në fund, z.Basha, shumë shëndet e suksese Juve dhe subjektin që ju e drejtoni”- thuhet në urimin e kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë në Kosovë, Nexhat Daci i dërgoi një mesazh urimi kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e konsideruar zgjedhjen e tij në krye të PD si konsolidim të vlerave demokratike në shoqërinë shqiptare. “Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe në emrin tim t’ju përgëzoj për zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Zgjedhja juaj kaloi nëpër një proces demokratik, transparent dhe të konkurrencës së lirë, shenjë se kultura demokratike në shoqërinë shqiptare po krijon traditë të mirë edhe në këtë rrafsh të rëndësishëm të konsolidimit të vlerave. LDD-ja e çmon lart kontributin e jashtëzakonshëm të PD-së dhe të kryetarit të deritanishëm të saj, kryeministrit Sali Berisha, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike, si dhe për mbështetjen e përhershme dhënë Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj. Shpresoj dhe jam i bindur se LDD dhe PD do ta vazhdojnë traditën e bashkëpunimit të ngushtë në mes vete”- thuhet ndër të tjera në urimin e kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci.