Basha: Bashkia, jashtë konfliktit politik, bashkëpunim me të gjitha partitë
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, premtoi dje se po nis një rrugëtim i ri për të ndërtuar kryeqytetin që të gjithë duan. Në një fjalim të mbajtur menjëherë pas marrjes zyrtarisht të detyrës, kryetari i Bashkisë deklaroi se do të bashkëpunojë me përfaqësues nga të gjithë partitë politike, për një qytet më të mirë.
“Po pres me kënaqësi të punojmë së bashku, për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë dhe sot dua të ritheksoj përkushtimin tim për të bashkëpunuar me ju, pavarësisht se cilës parti politike i përkisni. Nëse dikush ka një ide të mirë për zhvillimin e qytetit, nuk ka rëndësi nëse kjo ide vjen nga Partia Demokratike, Partia Socialiste, LSI, PR, PDIU, apo çdo parti tjetër. E rëndësishme është të punojmë së bashku që ajo ide të realizohet. Ndaj dua t’ju siguroj se administrata ime do të jetë gjithëpërfshirëse, ku çdo parti politike do të gjejë përfaqësim duke pasqyruar në këtë mënyrë vetë familjen tonë të përbashkët, Tiranën. Në fillim të kësaj fushate, nisëm së bashku një udhëtim të vështirë, por edhe të bukur. Edhe pse rruga që përshkuam ishte plot sfida, ne nuk e humbëm nga sytë për asnjë çast destinacionin përfundimtar. Sot, edhe pse rrugëtimi ynë zgjati pak më shumë sesa kishim parashikuar, ne kemi mbërritur në destinacion, dhe kjo duhet të na gëzojë”, - tha dje Basha gjatë fjalës së tij. Duke premtuar një Tiranë që të gjithë duan, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se ndryshimi nuk do të jetë i lehtë. “Pritshmëritë e bashkëqytetarëve tanë janë të mëdha sot, dhe me të drejtë, sepse të mëdha janë dhe mundësitë që shtrihen para nesh, por gjërat nuk do të ndryshojnë brenda ditës, ndryshimi nuk është i lehtë, dhe do të vijë më shpejt nëse të gjithë punojmë së bashku. Sigurisht që gjatë rrugës do të hasim pengesa, trajektorja mund të ndryshojë dhe ky rrugëtim do jetë pa diskutim më i gjatë, por ne sërish do të arrijmë në destinacion dhe do mund të ndërtojmë Tiranën që çdo qytetar i saj ëndërron”, - tha ai. Basha tha se zëri i çdo qytetari u dëgjua dhe se kjo fushatë ishte vetëm për qytetarët. “Unë dëgjova problemet dhe idetë tuaja dhe mund të them se mësova prej jush gjëra që nuk do t’i harroj kurrë. Ju siguroj që me të njëjtin përkushtim do të vazhdoj t’u dëgjoj edhe në këtë rrugëtim të ri që na pret. Sepse, unë besoj se pa dëgjuar zërin tuaj askush nuk mund t’ju shërbejë e aq më pak t’ju bëjë ju pjesë të bashkëqeverisjes, tek e cila unë besoj fort”, - tha ai. Për këtë arsye, këtë të mërkurë, kryetari i Bashkisë do të hapë dyert për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vijnë në bashki. Ndërkohë, nga e premtja e javës që vjen, ai do të përcaktojë orare zyrtare të takimit më qytetarët.
Bashkia jashtë politikës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se për një kohë të gjatë Bashkia e Tiranës u shndërrua në një arenë të konfliktit politik. “Sherrnaja politike nuk mund dhe nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete. Është normale që partitë politike të kenë mendime dhe vizione të ndryshme, kjo është ajo çka demokracia na mundëson, përballje vizionesh për një qeverisje më të mirë. Por konflikti politik tejkaloi çdo masë, dhe fatkeqësisht u bë më i rëndësishëm sesa vetë produkti që qytetarët presin. Bashkisë së Tiranës nuk i takon të jetë pjesë e këtij konflikti dhe është koha që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku për të vendosur interesat e qytetarëve të Tiranës, të parat. Kjo është ajo që ne do të bëjmë”,- tha ai. “Nën drejtimin tim, - premtoi Basha, - Bashkia e Tiranës do të punojë për t’u dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve dhe këtu nuk ka vend për luftë politike”.
Basha premtoi se do të nisë menjëherë puna për të realizuar një program ambicioz brenda 100 ditëve të para, ku ai renditi edhe një tjetër herë të gjitha premtimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale.