E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli uron Bashën: Kjo është politika që u duhet qytetarëve

Dritëro Agolli, patriarku i njohur i socialistëve, ka bërë dje një gjest publik përtej ndarjeve politike dhe pozicioneve të ngurta të krijuara gjatë 20 viteve të fundit në politikën shqiptare. Agolli ka uruar dje kryebashkiakun e ri të Tiranës, Lulzim Bashën, për detyrën e re, duke shprehur dëshirën për sukses në këtë sfidë jo të lehtë. Gjatë bisedës telefonike që mësohet se kanë zhvilluar Agolli e Basha, shkrimtari i njohur përveç urimit të rastit i ka thënë Bashës se modeli i fushatës që ka ndjekur është politika që u duhet qytetarëve. “Të përgëzoj për politikën qytetare”, mësohet se i ka thënë Dritëro Agolli Bashës me rastin e marrjes së detyrës së qytetarit të parë të Tiranës.

Pikërisht në këtë linjë ka qenë edhe fjalimi i djeshëm i Bashës. Ai premtoi se administrata e tij do të jetë shumëngjyrëshe sa i përket politikës dhe se aktiviteti i bashkisë do të rrijë larg sherreve dhe konflikteve politike. Të tillë model Basha ndoqi edhe në fushatë, ku premtoi dhe i mëshoi shumë ndarjes së politizimit të punëve dhe problematikës së qytetit. Një vend të veçantë në këtë kontekst pati dhe nisma: “Iniciativa për Tiramën”, një nismë e 31 intelektualëve të shquar që kërkuan dhe debatuan me Lulzim Bashën këndvështrimet dhe idetë për zgjidhjet e çështjeve të mëdha të kryeqytetit, si trafiku, ndërtimet e larta, gjelbërimi, infrastruktura, arsimi, kultura etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›