E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nuk u dëgjua zëri i qytetarëve, por zëri dhe vullneti i Sali Berishës

Megjithëse morën pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, këshilltarët e majtë nuk e njohin kryetarin e ri Lulzim Basha si të legjitimuar nëpërmjet një procedure normale votimi dhe betimi. Në pamundësi për ta bërë deklaratën pas betimit të kryetarit të ri të Bashkisë, kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, është detyruar t’ua komunikojë mediave qëndrimin mospajtues të socialistëve me këtë procedurë, që sipas tij nuk është gjë tjetër veçse finalizimi i një procesi të devijimit të vullnetit të qytetarëve të kryeqytetit. “Ne nuk e konsiderojmë këtë një procedurë betimi të kryetarit të bashkisë në kushte normale, ashtu siç e dëshironim të gjithë, brenda dhe jashtë kësaj salle. Si rrjedhojë e një procesi zgjedhor, ku u deformua hapur dhe pa asnjë mëdyshje vullneti i qytetarëve, duke e çuar vendin drejt një krize të re politike. Nuk është normale ajo që ndodhi, për shkak se nuk u lexua dhe nuk u dëgjua zëri i qytetarëve, por vetëm një zë dhe vetëm një vullnet, zëri dhe vullneti i Sali Berishës, i cili i bëri dhuratën më të shëmtuar qytetarëve të Tiranës, por edhe gjithë Shqipërisë, manipulimin publik të rezultatit të kryeqytetit, si për kryebashkiakun ashtu edhe për këshillin bashkiak”, - tha Dalipi për mediat. Një konstatim ky, që sipas Dalipit nuk është vetëm i socialistëve, por edhe i gjithë atyre qytetarëve nuk e votuan Bashën, si dhe i gjithë faktorit ndërkombëtar. Më tej ai ka sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë, si një njeri që mbahet mend nga shqiptarët vetëm për akuzat për korrupsion, shitje të interesave kombëtare apo edhe vrasjen e protestuesve më 21 Janar. “Ju e dëgjuat vizionin e zotit Basha, por të gjithë ne, edhe ata që janë jashtë kësaj salle e njohin vizionin e zotit Basha, është një vizion tërësisht i përputhur me grabitjen dhe aktin korruptiv të rrugës Durrës-Kukës, me shitjen e interesave kombëtare, shitjen e detit dhe deri te vrasjet e 21 Janarit. Ne ndenjëm këtu në këtë sallë për shkak se përfaqësuam zërin e të gjithë atyre qytetarëve të cilët e refuzuan zotin Basha”, - u shpreh Dalipi, ndërsa denoncoi edhe braktisjen që i bënë mbledhjes së këshillit këshilltarët demokratë menjëherë pas betimit të Bashës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›