E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Kosovës në veri. BE: Qetësoni situatën

UPDATE-Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit. 

“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim, ka thënë zonja Kocijançiq, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.

Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut, ka thënë Kocijançiq, për Radion Evropa e Lirë, duke shprehur bindjen se çështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.

Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.

Policia e Kosovës në veri, kontroll në dogana Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion për futjen nën kontroll të pikës kufitare 1 dhe 31 që gjenden në pjesën veriore të Kosovës. Lajmin e jep ministri i Punëve të Brendshme, Bajram  Rexhepi, i cili sqaron se forcat policore kanë marrë kontrollin edhe në pikën 1 në Jarinje.

Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është  qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi për mediat lokale ka konfirmuar se për aksionin nuk ka pasur fare koordinim me EULEX-in, i cili është përgjegjës për kontrollin e pikave kufitare në veri, meqë autoritetet e Prishtinës, për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë, nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin atje.

Ai ka thënë se “situata është e tensionuar, por forcat e rendit janë të përmbajtura për të mos lejuar përshkallëzimin e saj”.

Në anën tjetër, lideri i serbëve lokalë të Mitrovicës , Radenko Nedeljkoviq ka konfirmuar se policia e Kosovës e ka marrë nën kontroll pikën kufitare në Bërnjak, apo porten 31.

Ndërkaq, edhe zyrtarët kosovarë kanë bërë më dije, se pika tjetër në Jarinë nuk është futur nën kontroll, ndërkaq që një turmë serbësh nga Zubin Potoku është nisur në drejtim të kësaj pike.

Aksioni i policisë vjen disa ditë pas vendimit të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë duke pamundësuar kështu hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Por, vetë autoritetet kanë pranuar se ky vendim mund te sfidohet në pikat 1 dh 31, për shkak të moskontrollit te duhur të pikave kufitare.

Duhet të kuptohet se Kosova është një njësi territorial dhe ligjet vlejnë në krejt territorin. Nuk mund të ketë dy zona doganore. Vendimi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kemi shkuar atje për ta implementuar në tërësi vendimin për reciprocitetin,” ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Ivanoviq: Situata mund të eskalojë

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të “eskalojë”.

Situata është mjaft e tensionuar, ai është një gjest i pamenduar për të cilën nuk ka asnjë shpjegim,” ka thënë Ivanoviq, duke komentuar vendimin e Prishtinës për dërgimin e njësive special të policisë në vendkalimet kufitare.

Ai tha se ka folur me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe se pret përgjigje nga KFOR-i dhe EULEX-it.

Ivanoviq tha se “tensioni kryesor pritet në mëngjes” dhe se ekziston rreziku që situata “të përshkallëzohet.

Thaçi shkarkon Maliqin

Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje te Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të shkarkojë Reshat Maliqin nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.  Nuk janë dhënë detaje në lidhje me arsyen e shkarkimit. (Rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›