Simpatizantët e Bashës rrethojnë Bashkinë, tension në Këshill
“Betohem! Zoti më ndihmoftë!”. Me këto fjalë, pas leximit të tekstit të betimit, Lulëzim Basha zyrtarizoi dje fillimin e punës së tij si kryetari i ri Bashkisë së Tiranës. Gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak është bërë dhe konstituimi i të gjitha organeve drejtuese të këshillit, duke zgjedhur Niazi Kosovrastin si kryetar të tij dhe Zamir Ndroqin nënkryetar. Mbledhja e parë ka pasqyruar tensionin politik që ekziston në vend, pasi këshilltarët socialistë, në mënyrë të përsëritur janë përpjekur të injorojnë zgjedhjen e Bashës si kryebashkiak, duke mos iu përgjigjur asnjë thirrjeje të mazhorancës për solemnitet dhe bashkim. Gati një orë para se të niste mbledhja e parashikuar e Këshillit Bashkiak, dhjetëra mbështetës dhe militantë demokratë kanë rrethuar hyrjen kryesore të Bashkisë për të përshëndetur kryetarin e tyre të ri, duke krijuar një atmosferë gëzimi, por jo për të gjithë. Ata janë kthyer në shqetësim për këshilltarët e majtë, të cilëve për t’u futur në ambientet e bashkisë, u është dashur të futen mes turmës dhe për rrjedhojë, të përballen me ofendimet apo sharjet e hedhura në drejtim të tyre. Disa militantë demokratë janë kujdesur edhe për zakonin e prishjes së syrit të keq, duke bërë kurban një dash në respekt të një tradite të lashtë popullore. Kjo ishte atmosfera jashtë bashkisë, pasi brenda shihje vetëm fytyrat e vrejtura të punonjësve të administratës, të cilët prisnin me ankth “fatin” e tyre, tashmë që në krye të këtij institucioni ngjitet një tjetër drejtues. Dyer gjysmë të hapura, kompjutera të fikur, njerëz që lëviznin sa në kafenë-bodrum, aq edhe në korridoret si labirinte të bashkisë ishte gjendja që mbizotëronte dje brenda bashkisë së Tiranës, ku natyrisht ndodheshin disa punonjës të protokollit, që ishin të detyruar që të ndihmonin për të realizuar ceremoninë e betimit dhe konstituimit të organeve drejtuese të këtij institucioni. Mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës e ka hapur sekretari i vjetër i tij Vladimir Gjonaj, i cili duke bërë të ditur rendin e ditës, ka informuar këshilltarët se, ndryshe nga sa ishte caktuar një ditë më parë, betimi i kryetari të ri të bashkisë do bëhej para votimit të anëtarëve të këshillit të qarkut. Kjo duket se ka prishur planin e socialistëve, të cilët mund të largoheshin gjatë ceremonisë së betimit. Për këtë arsye ata kanë kundërshtuar ndryshimin e rendit të ditës, duke akuzuar përfaqësuesit e mazhorancës se po shkelnin ligjin dhe procedurën. Por demokratët janë mbrojtur me fjalët se rendi i ditës ishte në përputhje me udhëzimin e ministrit të Brendshëm. Pavarësisht debateve lidhur me këtë pikë, sekretari Gjonaj ka ftuar që të marrë drejtimin e mbledhjes Maksim Begejën, si këshilltarin më të vjetër në moshë. Begeja ka qëndruar në krye të këshillit vetëm për aq kohë sa është bërë ngritja e komisionit të verifikimit të mandateve, betimit të këshilltarëve dhe zgjedhjes së kryetarit të përhershëm të Këshillit Bashkiak, Niazi Kosovrasti, i cili ka marrë 28 vota kundrejt 27 votave të marra nga Mimoza Hafizi. Gara për këtë post ka qenë e fortë dhe të dy kampet kanë pritur me ankth deri në votën e fundit, e cila ka përcaktuar dhe fituesin. Më pas, mbledhja ka kaluar në zgjedhjen e nënkryetarit, post për të cilin mazhoranca ka propozuar Zamir Ndroqin dhe opozita Ardiana Berberin. Ndryshe nga votimi i parë, ai për nënkryetarin ka sjellë dhe rrjedhjen e parë të votave nga opozita. Kjo pasi kandidatura e Ndroqit ka marrë 29 vota, ndërsa Berberi 27. Më pas, mbledhja ka vijuar me procedurën e betimit të kryetarit të bashkisë, ndërsa në sallë kanë zënë vend dhe katër përfaqësues diplomatikë të akredituar në Tiranë. I shoqëruar nga Kosovrasti, Basha ka hyrë në sallë duke përshëndetur të pranishmit dhe duke i dhënë dorën të gjithë këshilltarëve të ulur në radhën e parë, edhe atyre socialistë. Ndërkohë që Niazi Kosovrasti ka lexuar formulën e betimit, Basha ka thënë vetëm “Betohem, Zoti më ndihmoftë!”. Pas këtij momenti të gjithë këshilltarët e djathtë janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur për betimin e Bashës, ndërkohë që të zgjedhurit e majtë e kanë injoruar sërish këtë moment, duke qëndruar indiferentë.