E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Brenda marsit vendimi për ndërtimin e xhamisë

Të paktën, 10 vitet e fundit, KMSH-ja, institucioni zyrtar i myslimanëve, e kanë kërkuar me ngulm pasjen e një xhamie, për shkak se besimtarët e shumtë në kryeqytet, janë të detyruar të kryejnë ritet e tyre jashtë në mot me shi dhe në të ftohtë, apo edhe në temperatura të larta gjatë verës. 

Komisioni për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe miratuar nga Këshilli Bashkiak ka nisur nga puna. Komisioni përbëhet nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Nënkryetari, Kancelari, Përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve, Përfaqësuesi i Prefektit, i Këshillit të Qarkut, Myftiu i Tiranës, etj.

Në këtë mbledhje u vendos ngritja e një grupi pune, i cili do të përgatisë propozimet për vendimarrjen në Komision, të cilat përfshijnë propozimin për vendin ku do të ngrihet Xhamia e Re, si do të veprohet për projektin e Xhamisë, nëse do të jetë ai i hartuar tashmë, do të përcaktohet një arkitekt për të bërë një projekt të ri apo do të bëhet konkurs për projektimin e këtij institucioni dhe pas kësaj menjëherë, aprovimi i termave të referencës.

Basha kërkoi që brenda muajit mars, të përmbyllet faza e konsultimeve, diskutimeve dhe e vendimarrjes, për çështjet e shtruara për diskutim. Basha shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës dhe të tijin personalisht, për ta përfunduar sa më parë këtë vepër që i mungon Tiranës dhe për t’u dhënë besimtarëve një vend të denjë, për të kryer ritet e tyre fetare.

“Vullneti për ta përfunduar këtë vepër, që i mungon qytetit të Tiranës është I plotë tek Bashkia e Tiranës dhe tek unë personalisht por nganjëherë vullneti nuk mjafton dhe me këtë rast synimi i ngritjes së këtij komisioni ka qenë gjithpërfshirja në vendimarrje të aktorëve kryesorë, duke filluar nga Komuniteti Mysliman, me Myftininë e Tiranës, me përfaqësuesit e besimtarëve të Tiranës, duke vazhduar me të gjithë faktorët e tjerë, siç janë ato të Monumenteve të Kulturës, të Institutit të Kultit, shoqatës “Tirana” dhe Këshilli Bashkiak, ku çdo forcë politike e përfaqësuar në Këshill përfaqësohet edhe në këtë komision dhe sigurisht çdo vendimarrje që do të bëjmë do të jetë transparente dhe do i përcillet në kohë reale qytetarëve të Tiranës, publikut të Tiranës. Gjykoj se kjo risi është e domosdoshme, që ne të kemi sukses në ndërmarrjen tonë”, tha Basha.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Haxhi Selim Muça shprehu kënaqësinë, që më së fundi  nisi funksionimin një komision, në të cilin do të diskutohet dhe vendoset për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. 

“Z.Kryetar, unë mendoj se kjo është një mbledhje shumë e vlefshme dhe së pari unë mendoj se duhet të merremi me hartimin e përpilimit të ndërtimit të Xhamisë së Madhe, por para se të shkojmë deri aty, unë mendoj një Xhami që të jetë një Xhami e Ballkanit, të mos jetë veç Xhami e Tiranës, një Xhami e sofistikuar, me një fjalë e ndërtuar me materiale ndërtimore të ditëve të fundit. Mendoj se duhet të ketë dy kate nëntokësore për strehimin e makinave, për ato falës që do të vijnë aty, të ketë sallën e Xhamisë, përveç sallës së Xhamisë, të ketë salla të tjera për mbledhje, të ketë salla të tjera për gëzime, salla të tjera me madhësi të ndryshme për diskutime. Me dëshirën tonë dhe me pranimin dhe Urdhërin e Zotit Allah, do arrijmë ta bëjmë. Mund edhe të mos realizohen të gjitha, por janë zotërinjtë këtu, që do na japin mend, që do propozojnë se si duhet të jetë ajo Xhami”, ka thënë Muça. 

Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranë Njazi Kosovrasti, ka deklaruar se kryeqytetit i duhet një Xhami që të jetë e kohës dhe moderne, “të jetë vërtet me ato katet dhe gjithçka të jetë ashtu siç e kërkon ky komunitet kaq i rëndësishëm mysliman i kryeqytetit dhe i gjithë Shqipërisë e meriton të ketë një Xhami të përmasave të tilla dhe të jetë vërtet, vërtet për t’u admiruar nga të gjithë ne, ndaj t’i mendojmë mirë të gjithë hapat, situatat, të gjithë projektet t’i shohim me kujdes, në mënyrë që produkti të pëlqehet nga të gjithë, në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman”. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-02-19 10:59
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›