E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimet në universitete, KKS: Denonconi blerjen e votave

Vota e studentëve zë vetëm 20 % të peshës së përgjithshme elektorale për drejtuesin e fakultetit dhe universitetit. Në këtë prag zgjedhjes, Këshilli Kombëtar Studentor, i fton studentët që të  bëjnë zgjedhje të përgjegjshme, duke u bazuar në atë çka kandidatët përfaqësojnë si vlera akademike dhe jo si individë fizikë.

“KKS ju fton të votoni për programin më të mirë, për akademikët më vizionarë, për profesorët që kanë treguar  se janë pranë jush dhe përfaqësojnë interesat tuaja! Kandidati për dekan apo rektor që ju do të votoni do të jenë personat me të cilët juve do t’ju duhet të përballeni për katër vitet e ardhshme për probleme apo situata të caktuara në universitetint tuaj, ndaj kujdesuni që vota  juaj të shkojë në drejtimin e duhur,” u shpreh përfaqësuesja e KKS-së, Esiona Konomi.

Njëkohësisht, Këshilli Kombëtar Studentor, u kërkoi studenteve të votojnë dhe për përfaqësuesit e tyre në organet vendimmarrëse. Konomi apeloi që studentët të bëhen zëri, veshi dhe avokati i kolegëve të tyre studentë duke votuar  kandidatët studentë për 15 % të vendeve për organet kolegjiale vendimmarrëse. “KKS ju fton të denonconi pranë këshillave studentorë përkatës, si dhe pranë medias kombëtare të studentëve, “Gazeta Studenti Shqiptar”  të gjitha tentativat për të shkëmbyer votën tuaj me notën! Çdo precedent i tillë përbën një akt të shëmtuar, që nuk na shkon ne, Studentëve, të ardhmes së vendit, që ta pranojmë, sikundërse nuk u shkon as akademikëve tanë, drejtuesve të institucioneve që mëkojnë dije e leksione demokracie, ta praktikojnë”, tha më tej ajo.

Këshilli Kombëtar Studentor njofton se është i vendosur të mos tolerojë dhe të denoncojë çdo rast të tillë apo të ngjashëm, të identifikuar prej strukturave tona në të gjithë vendin, apo të denoncuar nga çdo student. /Start/

                                                                                             2012-02-19 11:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›