E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, masat e reja, sindikatat protesta në Athinë

ATHINE - Punonjës të sektorit privat dhe publik por edhe pensionistë e të papunë, dolën sot në rrugë për të protestuar kundër masave të reja të ashpra shtrënguese, në një organizim të bashkimit të sindikatave. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin Kushtetuta për të marrë pjesë në tubim, në përgjigje të thirrjes së dy sindikatave. 

Rruga” Amalia”, “Mbretëresha Sofia”, zonat pranë Universitetit dhe stadiumit, u mbyllën përkohësisht për trafikun, për shkak të përqëndrimit të protestuesve. 

Duke folur në miting presidenti i sindikatave të sektorit privat Janis Panagopulos, iu bëri thirrje punëtorëve që të marrin pjesë në tubimet masive, për të mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e demokracisë dhe foli për nevojën e krijimit të një lëvizje të re popullore. 

Komiteti Ekzekutiv i sindikatave të sektorit publik njoftoi se do të shkojë në një grevë të re të përgjithshme në konsultim me sindikatat e sektorit privat, për të bashkuar zërin kundër kërkesave të Trojkës që po shkelin cdo kuptim të ligjit të punës dhe të marrëveshjeve kolektive. 

Në thirrjet e sindikatave thuhet se “Punëtorët grekë, populli grek nuk do të përkulen para shantazheve dhe kërkesave të kreditorëve dhe nuk do të tolerojmë fyerjet e "Merkozi', sic quajnë dyshen Merkel dhe Sarkozy. 

Bashkimi i sindikatave ka vendosur të vazhdojë luftën me të gjitha mjetet dhe mënyrat në dispozicion të tyre, për të kundërshtuar masat e papranueshme për punonjësit dhe pensionistet. 

Protesta zhvillohet një ditë para mbledhjes së Eurogrup, kur Athina zyrtare pret që të miratohet programi i dytë i ndihmës prej 130 mld Euro. 

Beteja e radhës e Greqisë zhvillohet në mes të marsit, kur asaj do t'i duhet të shlyejë këstin e huasë në formë eurobondesh, me vlerë 14,5 miliardë euro.

(An.Jo/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›