E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Brenda pranverës, Tirana furnizim 24 orë me ujë

Dje gjatë inaugurimit

Brenda pranverës së vitit që vjen, Tirana do të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë. Këtë premtim bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë inaugurimit të punimeve për ujësjellësin e Kodër-Kamzës. Rreth 25 mijë banorët e kësaj zone do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm. Me një investim prej 60 milionë lekësh të kryer nga UKT është zgjidhur furnizimi me ujë 24 orë.
Në këtë zonë janë shtruar 2 km linjë transmetimi, 20 km rrjet shpërndarës dhe janë vendosur 2000 matës të rinj uji. Plani për të vendosur, për të shtrirë rrjetin e ujësjellësit në të gjithë Tiranën po ecën sipas parashikimit. Në një kohë fare të shkurtër kemi arritur tu sjellim ujin më shumë se 60 mijë banorëve të Tiranës, 25 mijë këtu në zonën e Kodër-Kamzës, 35 mijë në zonën e Kodrës së Priftit dhe lagjeve përreth, tha Basha.
Ai shtoi se do të vazhdohet me zonën e Bregut të Lumit për 5 mijë banorë të tjerë, po të Minibashkisë Nr.11 dhe më pas me 5 mijë banorë të tjerë përballë Kodrës së Priftit. Sipas tij, projektet po bëhen gati për të ndërhyrë në zonat e reja të Minibashkisë 4 dhe 8, pranë Bregut të Lumit, tek fusha e Misto Mames dhe në Selitë. Plani është që brenda pranverës së vitit të ardhshëm, 100% e territorit të Bashkisë së Tiranës dhe territorit të Tiranës metropolitane, të tilla siç janë edhe pallatet përtej Unazës së Re, ku banojnë qytetarë të Tiranës po në territorin e Kasharit, të furnizohen 24 orë me ujë nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u shpreh Basha. Ai shtoi se së shpejti në këtë minibashki nis puna për investimet e parashikuara në buxhet, ku përfshihen 3 rrugë, dy shkolla, 3 kopshte, 2 çerdhe dhe një bllok banimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›