Zgjerohet Tufina, çelet fondi për pronarët
Parcela të reja në Varrezat e Tufinës. Qeveria vendosi dje çeljen e fondit prej 30.560.000 lekësh për shpronësimin e pronarëve që u preket toka nga projekti që do të vihet në zbatim. Bëhet fjalë për 4090 m2 truall në varrezat e kryeqytetit dhe fondi i kompensimit do të përballohet nga Bashkia e Tiranës. Brenda tre muajsh duhet të shpronësohen të gjithë pronarët që preken nga zgjerimi i varrezave. Masa e shpërblimit të pronarëve, pasuritë pronë private të të cilëve shpronësohen, është 30 560 000 (tridhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj, thuhet në vendim. Sipas tij, afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia e Tiranës për realizimin e këtij projekti. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 4090 (katër mijë e nëntëdhjetë) m² truall, shpronësuar në favor të Bashkisë së Tiranës, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, saktëson vendimi.