Basha: Do mbështesim Bosnje-Hercegovinën e Malin e Zi

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha merr pjesë në sesionin e 16 të mbledhjes së ministrave të jashtëm të OSBE në Helsinki. Gjatë fjalës së tij "Basha nënvizoi se ky është një moment i shënuar, sidomos në drejtim të zgjerimit të hapësirës së sigurisë në rajonin tonë, nxitjes së demokracisë, lirive themelore dhe sundimit të ligjit, në funksion të integrimit euroatlantik të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor." Duke shprehur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për perspektivën euroatlantike të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe gjithë rajonit, Basha siguroi homologët e tij se vendi ynë është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të ndajë përvojën e fituar gjatë këtyre viteve me dy partnerët e rinj të Kartës. Zv.Sekretari Amerikan i Shtetit, Daniel Fried, ndër të tjera, shprehu bindjen se edhe administrata e ardhshme e SHBA-ve, përfaqësuar nga Presidenti i zgjedhur, Barak Obama dhe senatorja Hillary Clinton, do të ndjekin të njëjtën politikë në drejtim të zgjerimit të Aleancës dhe në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Basha pritet të kërkojë nga OSBE ODIHR numrin më të madh të vëzhguesve të ardhur ndonjëherë në Shqipëri për zgjedhjet e 2009. Ai do të shpalosë synimin që Shqipëria të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së.