Londër,Topalli referon për integrimin e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Londër, ishte e ftuar nga Universiteti i njohur LSE (London School of Economics and Political Science) ku mbajti një referat mbi historinë dhe përpjekjet për demokraci e procesin e integrimit të Shqipërisë, në NATO e BE.Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, në një auditor të përzgjedhur me studentë, intelektualë e përfaqësues të ndryshëm të jetës politike e diplomatike në Londër, Kryetarja e Kuvendit, bëri fillimisht një ekspoze të historisë së vështirë të kombit shqiptar për pavarësi e liri, në rrjedhën e konfliteve të ashpra në Ballkan, dhe mbijetesës së saj, nga një prej diktaturave më të egra të komunizmit.Duke folur për traditat, vlerat historike e kulturore dhe identitetin europian të shqiptarëve, Kryetarja e Kuvendit theksoi ndër të tjera se "gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët i përcollën Evropës modelin e një kodi shpirtëror unikal-besa, ku dhe në respekt të traditës së tyre e të tolerancës fetare, shqiptarët mbrojtën me dhjetra familje të komunitetit hebre.""Shqipëria, -u shpreh Kryetarja e Kuvendit- u rendit si vendi i parë në ish-Lindjen komuniste që kërkoi anëtarësim në NATO, një proces që sot gëzon mbështetjen e të gjitha forcave politike dhe 95% të opinionit publik në vend".Kryetarja e Kuvendit i shpjegoi më pas auditorit rezultatet e reformave që ka ndërmarë qeveria, Parlamenti dhe institucionet e tjera shqiptare për anëtarësim në NATO dhe përafrimin në BE. "Sot kur flasim për përshpejtim të këtyre proceseve kjo është falë luftës me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; rritjes ekonomike, konsensusit të gjerë të forcave politike për ndryshimet kushtetuese, reformën elektorale për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zhvillimeve ekonomike janë test i pakontestueshëm i politikave dhe reformave të guximshme, të cilat kanë marrë edhe çertifikimin nga organizmat ndërkombëtarë, Fondi Monetar, Komisioni Europian, Banka Botërore, OECD-ja apo Komisioni Evropian". deklaroi ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit.