Basha Do te ndertojme Biblioteke Kombetare ne bulevardin e ri do te heqim taksat lokale per librashitesit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit të 15-të Librit. Për të dytin vit radhazi, Bashkia e Tiranës është mbështetësja kryesore e këtij panairi. Në këtë panair marrin pjesë mbi 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi por edhe përfaqësi diplomatike si SHBA, Italia, Franca etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka theksuar se në modelin e ri të qytetërimit që i ofrojmë ditë për ditë qytetarëve të Tiranës, një vend të veçantë zë infrastruktura shpirtërore dhe përgatitja e tyre, për sfidat intelektuale të qenit anëtar i Bashkimit Evropian. Kryebashkiaku Basha ka theksuar se me prioritet do të trajtohen ndërtimi i një biblioteke kombëtare si dhe ofrimi i hapësirave publike, për ndërtim bibliotekash në Tiranë.
“Bashkia e Tiranës së shpejti përfundon Planin Urbanistik dhe në këtë plan, ne kemi vendosur dy piketa shumë të rëndësishme, në lidhje me botuesit dhe librin.
Ndërtimin e një biblioteke të re për kryeqytetin, e cila jo vetëm do të lehtësojë presionin që ndjen tashmë Biblioteka Kombëtare, në kuptimin e arkivimit por do u japë akses lexuesve, në mënyrë më të plotë, në mënyrë më moderne dhe më intensive. Ne besojmë që në bulevardin e ri që po projektohet, ndihma e arkitektëve më të famshëm të botës do të çojë në projektimin dhe së shpejti fillimin e ndërtimit të një vepre të tillë madhore, jo vetëm për qytetin tonë por për kombin tonë”, deklaroi Basha. Njëkohësisht, kryebashkiaku sqaroi më tej mbi një çështje të tillë.
“Ndonëse unë besoj fort tek tregu i lirë dhe tek iniciativa e lirë, koha ka ardhur që gjithsecili prej nesh, duke përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, edhe mua si Kryetar i Bashkisë, të bëjmë atë që na takon, për të pasur pjesën e merituar të librarive në këtë qytet dhe jo vetëm kafene apo kazino. Për këtë arsye, në Planin e ri Urbanistik ne kemi vendosur të gjithë parametrat e duhur, për të mbështetur shtëpitë botuese dhe këdo tjetër që dëshiron të hapë këtë aktivitet, jo vetëm përmes një planifikimi të mirë por edhe vënies në dispozicion të hapësirave publike”, theksoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Kryebashkiaku Basha ka lançuar dhe një tjetër nismë që do të merret së shpejti, e cila ka të bëjë me eliminimin e çdo takse lokale për librashitësit.
“Së shpejti ne do u ofrojmë disa kategorive në qytet, duke nisur me librashitësit, me libraritë, eliminimin e çdo takse lokale në mënyrë të përhershme, për shitjen e librit në Tiranë”- u shpreh Basha.