Basha: “Do të realizojmë standardet për anëtarësimin në NATO”
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me Jason Hyland, drejtor i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Gjatë bisedës, ministri Basha e uroi z. Hyland për detyrën e re dhe e siguroi atë për mbështetjen dhe bashkëpunim e tij të plotë. Duke evidentuar marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-të, ministri Basha vlerësoi ndihmën e gjithanshme që SHBA-të i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë, si në planin e bashkëpunimit dypalësh, ashtu edhe në drejtim të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Ministri Basha e falënderoi z. Hyland për mbështetjen e fuqishme që SHBA-të dhe presidenti Bush kanë dhënë dhe japin për procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO dhe e garantoi atë për përkushtimin e plotë të qeverisë dhe institucioneve shqiptare për realizimin e të gjitha standardeve që priten nga një vend anëtar i NATO-s. Zhvillimet në rajon dhe në veçanti në Kosovë u trajtuan gjerësisht gjatë takimit. Duke theksuar rëndësinë që perspektiva europiane dhe euroatlantike ka për stabilitetin e rajonit, ministri Basha nënvizoi se Shqipëria është e vendosur në rolin e saj si një faktor paqeje dhe stabiliteti si dhe në politikën e saj rajonale të fqinjësisë së mirë.
12 Gusht 2008