E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Berisha: Shenimet e mia per Kinen



“Simboli i dy gishtave është simbol i fitores”. Kështu është shprehur kryeministri Berisha dje gjatë daljes së parë për mediat, pas rikthimit nga vizita treditore në Kinë.
Kreu i qeverisë shqiptare, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, dha informacion rreth takimeve të zhvilluara në Republikën Popullore të Kinës, shprehu emocionet e pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, si dhe theksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ngjarjet e fundit në Gjeorgji. Berisha në veçanti komentoi dhe përshëndetjen me dy gishta që ai bëri gjatë parakalimit të ekipit shqiptar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin.
Deklarata
Berisha tha se kjo shenjë, megjithëse është komentuar në mënyra të ndryshme, nuk është gjë tjetër veçse simbol i fitores. Ai theksoi se megjithëse jemi në prag të një viti elektoral, kjo shenjë nuk mund të ngatërrohet kurrsesi me fushatën elektorale. “Përsa i përket shenjës së përshëndetjes me sportistët shqiptarë, janë bërë komente nga më të ndryshmet. Shenja e dy gishtave e ngritur lart është simboli i fitores, pasi unë nuk mund të mos i uroja fitoren sportistëve tanë, në këtë eveniment kaq të rëndësishëm. Kam dëgjuar dhe komente të tilla, si p.sh. se kjo shenjë u bë për zgjedhjet elektorale. Nuk them se viti nuk është elektoral, por nuk kishte asnjë lidhje me zgjedhjet, pikërisht në Pekin”, - ka sqaruar kreu i qeverisë shqiptare.
Vizita
Përsa i përket vizitës së tij në Pekin, Berisha u ndal veçanërisht në përpjekjet e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri shqiptar u shpreh se Kosova ka qenë një ndër çështjet kryesore për të cilën ka diskutuar me krerët më të lartë të shtetit kinez. “Pikëpamja ime është se Kina, ky vend mik, nuk ka qenë bashkautor në padrejtësinë e madhe historike që iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha të fillimit të shekullit që shkoi. Në këtë kontekst, njohja e Kosovës do të ishte një kontribut shumë i rëndësishëm i këtij vendi të madh në paqen dhe stabilitetin në rajon. Mendoj se dihet pikëpamja e palës kineze, të cilët duke respektuar vullnetin e popujve për vetëvendosje mendojnë se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdonte. Unë u shpreha se ky dialog ka vazhduar tre vjet dhe Serbia nuk ka bërë as edhe lëshimin më të vogël”, - është shprehur Berisha. Po kështu Berisha u shpreh dhe për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Tadiç, të cilit i ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për zhvillimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke shtuar se Kosova është një çështje që nuk duhet të ndikojë bashkëpunimin midis dy vendeve. Berisha u shpreh dhe për takimin e zhvilluar mes tij dhe Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, i cili sipas kreut të qeverisë shqiptare, ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë. “Presidenti më përgëzoi për arritjet e Shqipërisë dhe me shumë dashamirësi më paraqiti tek disa udhëheqës të tjerë të vendeve të botës, të pranishëm aty”, - është shprehur Berisha. Kryeministri shqiptar, gjatë qëndrimit në Kinë, është takuar dhe me Presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi, të cilin e ka ftuar të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila është pritur me kënaqësi. Gjatë fjalës së tij në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Kinës dhe tha se shteti kinez do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë edhe në të ardhmen, përveç kontributit të madh që ka dhënë në të kaluarën. Kryeministri gjithashtu u shpreh me superlativa për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. “Çastet e parakalimit të ekipit shqiptar dhe ceremonia madhështore e hapjes së Olimpiadës do të mbeten të pashlyera në kujtesën time. Ishin me të vërtetë momente jashtëzakonisht mahnitëse dhe emocionuese”, - është shprehur Berisha.

Berisha: “Rusia po bën përpjekje për të krijuar Bashkimin Sovjetik”

I pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmin e Rusisë në Gjeorgji, Berisha tha se kjo është një përpjekje e Rusisë për të krijuar Bashkimin Sovjetik. “Qeveria shqiptare shpreh mbështetjen e plotë totale për integritetin dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Ajo që po ndodh është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë. Kjo është qartësisht një përpjekje drejt krijimit të Bashkimit Sovjetik. Është një shfaqe e ekspansionizmit rus ndaj një vendi të vogël”, - është shprehur Berisha, ndërsa u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë kundër veprimit të Rusisë. “Rusia ka dyndur me forcat e saj ushtarake ndaj një vendi të lirë, ndaj një vendi demokratik dhe unë natyrisht uroj që ky konflikt të zgjidhet sa më parë, por i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar për një reagim të fuqishëm, për të ndalur këto sulme ndaj një vendi të lirë, për të garantuar sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi demokratik. Nuk mund të përdoren minoritetet për ndërhyrje ushtarake sepse kudo ka pakica dhe në se përdoren pakicat, në se përdoret forca ushtarake, atëherë rendi ndërkombëtar është në rrezik të madh. Ky është komenti i qeverisë shqiptare”, - është shprehur Berisha. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë paralelizëm midis çështjes së Kosovës dhe Gjeorgjisë. Berisha theksoi se ajo që po ndodh në Gjeorgji është tendencë e qartë e Rusisë për krijimin e Bashkimit Sovjetik.

Kina, kredi të butë për ndërtimin e rrugëve dytësore në Shqipëri

Kryeministri Berisha ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Kinë ka kërkuar që t’i jepet Shqipërisë një kredi e butë, e cila, sipas tij, do të shërbejë për ndërtimin e rrugëve dytësore. Berisha tha se kryeministri kinez ra dakord për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim. “Kërkova që të shqyrtohet mundësia e një kredie të butë koncesionale për Shqipërinë në drejtim të infrastrukturës, por edhe të modernizimit të fushave të caktuara, si informatika apo fusha të tjera ku Kina po avancon shumë. Kryeministri Wen Jiabao pranoi për akordimin Shqipërisë të një kredie të tillë. Qëllimi ynë është që me këtë kredi, të mobilizojmë sa më shumë fonde për rrugët dytësore, kanalizimet, ujërat e zeza, ujësjellës, në mënyrë që të modernizojmë infrastrukturën tonë, në një kohë sa më të shkurtër të mundshme”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu i ka kërkuar kryeministrit kinez nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik mes dy vendeve tona, marrëveshje të cilën Republika Popullore të Kinës e ka firmosur me BE-në. Sipas Berishës, kryeministri kinez Wen Jiabao e ka mirëpritur këtë kërkesë.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›