Basha: Do të rikualifikojmë 80 blloqe të kryeqytetit në një kohë rekord
Tiranë- Një tjetër bllok urban ka përfunduar rikualifikimin në kryeqytet me një investim prej 47,4 milionë lekësh. Kreu i bashkisë ka qenë sot i pranishëm për të inaguruar përfundimin e bllokut nr. 46, në njësinë bashkiake nr.9. Në këtë bllok banimi janë rehabilituar kanalizimet e ujërave të zeza, kanalizimeve të ujërave të shiut, ujësjellësi, etj. Po ashtu, në këtë bllok janë parashikuar 65 vende parkimi për makina dhe 29 vendqëndrime biçikletash.
Basha duke theksuar mbështetjen e qeverisë shqiptare siguroi se në kryeqytet do të ndërhyhet në plot 80 blloqe banimi për tu rikualifikuar, çka sipas Bashës do të thotë ndërhyrje rrënjësore mbi dhe nëntokësore.
plot 80 blloqe të tjerë, 20 herë më shumë, të bashkëfinancuar nga Bashkia e Tiranës në vlerën 25%, nga qeveria shqiptare në vlerën 75%, me një faturë prej afro 100 milionë euro dhe që do të mundësojë sjelljen e kësaj cilësie, në çdo cep të qytetit të Tiranës, në qendër e në periferi. Kjo është një stekë shumë e lartë, por ashtu siç realizuam këtë projekt brenda një kohe rekord, ashtu do e realizojmë edhe atë projekt, për gjithë Tiranën, për një Tiranë moderne e evropiane që fillon nga pragu i derës së qytetarit dhe për këtë jam i sigurt se qytetarët e Tiranës, do të na mbështesin pa dallim… – theksoi Basha.
Basha e vlerësoi shumë të nevojshëm ndërhyrjen në këtë zonë: Po të shikoni cilësinë e punimeve dhe mënyrën se si duket kjo lagje tani, pas këtij investimi, do të kuptoni se sa i nevojshëm ka qenë ky investim për banorët e kësaj zone dhe çfarë lehtësirash e mundësish krijon, në përmirësimin e jetës së tyre të përditshme, që nga aksesi tek lojërat poshtë pallatit, pa qenë e nevojshme që gjyshet e gjyshërit ti marrin e ti çojnë në rrugë të tjera e deri tek përmirësimi i cilësisë së ambienteve, sapo dalin nga shtëpitë e tyre- u shpreh Basha.
Basha: Në një vit, në njësinë bashkiake nr. 4 do të investohen 20 milionë euro
Me një investim prej 127 milionë lekësh kanë nisur punimet për rikualifikimin urban të një tjetër blloku banimi me sipërfaqe 16 ha, në zonën që njihet si zona përballë Shkollës së Bashkuar dhe ka një shtrirje drejt veriut, deri afër lumit të Tiranës, do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të ujërave të bardha, ujësjellësi, etj. Të gjithë rrugicat do të shtrohen me asfalt, gjithsej 15 850 m2, do të ndërtohen trotuare, hapësirë e gjelbër ku do të mbillen 306 copë peme dhe shkurre dekorative. Në këtë zonë është parashikuar dhe ndërtimi i sistemit të vaditjes për sipërfaqet e gjelbra si dhe vendosja e 83 shtyllave për ndriçim, 173 stolave për banorët. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj kalendarikë.
Kreu i Bashkisë Lulzim Basha u ka bërë të ditur banorëve, se një fond prej 20 milionë eurosh do të investohet brenda një viti, në njësinë bashkiake nr.4. Zoti Basha e ka cilësuar këtë, si fryt të një pune që në qendër ka qytetarin, larg çdo diskriminimi të së kaluarës.
Në total, e gjithë sipërfaqja e njësisë bashkiake nr.4, me përjashtim të zonës së Shkollës së Bashkuar dhe dy reparteve ushtarake i nënshtrohet një pakete investimesh, me vlerë më shumë se 20 milionë euro, në 12 muajt e ardhshëm. Ky është fryt i një pune që ka në qendër qytetarin, problemet e hallet e tij, pavarësisht prej bindjeve politike apo përkatësisë gjeografike në qytet apo të tjera diskriminime të së kaluarës. Ne do e vazhdojmë këtë, pikërisht sepse kemi besim të ndërsjellë midis qytetit, qytetarëve dhe Bashkisë, kemi edhe një bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë që mundëson fondet për këto projekte. Jam i sigurt se puna që po fillojmë sot këtu, puna që po shtrihet anembanë qytetit është një provë e mirë se ky bashkëpunim qytetar-bashki-qeveri, të vazhdojë duke prodhuar fryte edhe më të mira për qytetarët në vitet e ardhshme- theksoi z. Basha.