E Hënë, 2 Nëntor 2026

Basha: E drejta është në anën time, por pres rezultatin e institucioneve

TIRANË- Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, shprehet se po pret me durim deri sa procesi të përfundojë në mënyrë transparente, të drejtë dhe korrekte. “Çdo votë për kryetarin e Bashkisë, si votat e hedhura në kutitë e tjera, ashtu edhe ato të kontestuara, qytetarët shqiptarë po i shohin drejtpërdrejt në ekran. Çdo votë është parë dhe numëruar në sytë e të gjithëve, në televizion. Dhe sërish, kundërshtari im dëshiron që ju të mendoni se ka manipulime. Ndërsa thotë kështu, nuk paraqet asnjë provë dhe asnjë fakt. Madje, asnjë komisioner i partisë së tij, direkt i përfshirë në proces, nuk ka ngritur asnjë pretendim ligjor”, - tha Basha. Duke iu përgjigjur deklaratës së kryetarit të opozitës, Edi Rama, sipas të cilit, KQZ-ja ndërmori një proces kanibal, kandidati i mazhorancës theksoi se, kanibalizëm është që të përjashtosh votat nga procesi. “Është e rëndësishme të themi se në shqyrtimin që po i bëhet tani që flasim votave të kontestuara në KQZ, proces që kandidati tjetër e quajti kanibalizëm, ai ka marrë 4 vota më shumë se sa unë. Nuk është kanibalizëm të përfshish votat në këtë proces transparent, pavarësisht se për kë janë hedhur ato. Është kanibalizëm të përjashtosh votat nga procesi. Ne jemi dëshmitarë që asnjë manipulim nuk ka ndodhur dhe deklaratat e kundërta me këtë fakt, janë veçse qesharake”, - tha ai. Basha shtoi se çdo votë duhet të numërohet. “Kandidati tjetër, mendon se nuk duhet. Ndërsa unë mendoj se e drejta është në anën time, nuk jam unë ai që vendos për këtë, por janë në fakt institucionet kushtetuese bashkërisht të pranuara. Rivali im nga ana tjetër, nuk dëshiron të pohojë se është kundër dëgjimit të zërit të çdo qytetari, kështu që në vend të këtij pohimi ka lançuar një fushatë për të përbaltur procesin dhe për të ushtruar presion dhe bërë kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese. Unë nuk kam ndërmend ta ndjek në këtë rrugë. Unë besoj se çdo votë duhet numëruar dhe zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar. Por unë besoj gjithashtu se është tërësisht e papranueshme për çdo kandidat, parti apo individ, që të kërcënojë ose të përpiqet të ushtrojë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor, për të marrë vendimin e tyre, bazuar në çdolloj konsiderate tjetër, përveç ligjit”, - tha ai. Basha shtoi se, demokracia funksionon më lehtë kur rezultati është i thellë, por sipas tij “demokracia e provon fuqinë dhe qëndrueshmërinë e saj kur rezultati është i ngushtë, vetëm nëpërmjet respektimit të verdiktit të çdo zgjedhësi, veprimit vetëm brenda institucioneve dhe zbatimit të ligjit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›