Rama: Drejtësia të japë drejtësi, Kolegji të gjykojë me ndershmëri
TIRANË- Kryetari i opozitës, Edi Rama, pret që drejtësia të japë drejtësi. Në konferencën e djeshme për shtyp, Edi Rama, ka kërkuar që Kolegji Zgjedhor të gjykojë me ndershmëri dhe integritet profesional. “Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejtë me çështjen, por ka të bëjë me shumë më tepër se kaq, me fatet e demokracisë dhe me ecurinë e punëve në këtë vend, që është tërësisht e kompromentuar, në rast se drejtësia nuk bën drejtësi. Ndërkohë ne e kemi pranuar me mirënjohje edhe propozimin për të përfshirë Komisionin e Venecias në ndihmë të Kolegjit Zgjedhor dhe e mirëpresim kontributin e këtij komisioni prestigjioz, ashtu siç mirëpresim dhe çdo kontribut tjetër, për ta ndalur produktin e deformuar dhe deformues të kanibalizmit elektoral”, - tha ai. Edhe pse kërkon që drejtësia të japë drejtësi, Rama shpreh rezervat e veta mbi mënyrën se si funksionon gjyqësori në vend. “Se në ç’derexhe është katandisur drejtësia në Shqipëri, ky është një fakt i njohur, sëmundja është e thellë, efektet e saj kanë lënë gjurmë të thella në të gjithë sistemin dhe në mënyrën se si sillet sistemi i drejtësisë, përpara sesa të vinim në këtë çështje e të kërkonim drejtësi nga drejtësia për këtë çështje. Por nga ana tjetër, ne jemi të detyruar nga vizioni ynë për mënyrën se si duhet të shkojnë gjërat në këtë vend, por edhe nga bindja jonë se në të gjitha rastet rruga ligjore është një rrugë që duhet ndjekur medoemos...”, - tha ai. Rama theksoi se KQZ-ja po vijon të ndjekë një rrugë të kundraligjshme. “Ne kemi publikuar fakte, shifra, konkluzione të mbështetura mbi tabelat që kanë dalë prej tavolinës së vjedhjes, të cilat flasin mbi përmasën drithëruese të kanibalizmit elektoral të frymëzuar, të orkestruar, të diktuar nga Saliu. Ndërkohë, Saliu thotë pse nuk i kemi ankimuar ne këto fakte dhe shifra, por e vërteta është se ankesa për çka ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në Komisionin Qendror të Vjedhjeve ka marrë një përmasë ndërkombëtare...”, tha ai. Për pasojë, kryetari i opozitës theksoi se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë të demokracisë, drejtësisë dhe ekonomisë. “Është një krizë që sot thellohet dita-ditës, për përgjegjësinë ekskluzive të Saliut. Marrëveshjet, palët i bëjnë në ligje dhe ligjet duhen zbatuar nga të gjitha palët...Sot është koha dhe vendi për të folur për atë që kemi përpara si një stacion shumë i rëndësishëm. E përsëris jo për t’i dhënë drejtim ligjor, duke dhënë drejtësi thjesht kësaj çështjeje, por për të përcaktuar se si do të zhvillohet jeta politike dhe shoqërore e vendit në vitet në vijim. Pa dyshim, vendimi i Kolegjit është përcaktues edhe për këtë”, - tha ai.