E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Ekipi i Ramës i paaftë, me protagonistë famëkëqinj dhe të korruptuar

02-08-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuan instalimin e një kabineti ministror, i cili shquhet veç për zbatimin qorrazi të interesave personale të Edi Ramës. Ai ka kujtuar se në qeverinë e re, kanë marrë azil politik shpifësit më të zellshëm të së majtës, duke zyrtarizimin përjashtimin nga vendimmarrja të vlerave e kapaciteteve që PS kishte kultivuar në 20 vite pluralizëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar dje nga selia blu kabinetin qeverisës të Edi Ramës, që u prezantua zyrtarisht të mërkurën, duke e cilësuar atë një ekip eksperimental. Sipas kreut demokrat, ata janë protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit gjatë qeverisës së korruptuar para viti 2005. “Edi Rama njoftoi dje ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes së Shqiptarëve dhe që do të përgjigjet për premtimet piramidale dhe amatoreske me të cilat erdhi në pushtet. Tok me emrat e shqiptuar dje nga kryesocialisti, në veshët e shqiptarëve gjëmuan jehonat e të shkuarës së palavdishme dhe të bëmave të errëta të anëtarëve të këtij ekipi eksperimental. Aktorë të së kaluarës së largët, ministra të Ramiz Alisë, protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti gjatë qeverisjes së korruptuar të para 2005-ës, sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të vendimmarrjeve europiane, protagonistë të lidhjeve me trafiqet dhe lidhje nepotike dhe menaxhues të njohur të interesave të ish-kryetarit në Bashkinë e Kryeqytetit deri para dy vitesh. Pra, një ekip që mbledh paaftësinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual dhe reflekset korruptive dhe autoritare!” - u shpreh Basha.
Ai theksoi se Rama ka lënë jashtë vlera dhe kapacitete serioze të PS, ndërsa rreshtoi rreth vetes kamikazë personalë, për të përmbushur ëndrrën e tij për tu ndjerë Kryeministër dhe jo për t’ju shërbyer qytetarëve. Sipas z.Basha, kreu i PS shkelmoi çdo parim qeverisës të një demokracie parlamentare. “Duke lënë jashtë vlera dhe kapacitete serioze të Partisë Socialiste dhe duke përfshirë kamikazë personalë, Edi Rama shkelmoi çdo parim qeverisës të një demokracie parlamentare dhe shpiku rregulla të paqena në funksion të kapjes dhe mbajtjes të gjithë pushtetit për veten dhe tarafin e tij. Pas tërheqjes nga çdo premtim që u ka bërë qytetarëve me 23 Qershor, njoftimi i djeshëm nuk habit askënd por vërteton se qeveria e zotit Rama nuk mund të ishte veçse një bashkësi që do i shërbejë kryetarit për të përmbushur ëndrrën e tij për t’u ndjerë Kryeministër dhe jo për t’ju shërbyer qytetarëve! Ky pra nuk është ekipi që do t’u shërbejë shqiptarëve, por ekipi që do t’i përulet kryetarit dhe do t’i shërbejë vetëm interesave të tij dhe të kupolës së errët të 23 Qershorit!”- tha Basha.
Kreu i PD theksoi më tej se pasojat e kësaj qeverie klienteliste do t’i vuajnë qytetarët. “Çdo shqiptar duhet ta dijë sot, se shumë shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës dhe përçmues ndaj vullnetit dhe interesave të tyre do të rëndojnë mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e tyre dhe të familjeve të tyre”.
Në fund të fjalës së tij Kryetari demokrat garantoi se Partia Demokratike është e vendosur që në respekt të parimeve më të shenjta të demokracisë parlamentare dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptare të përballet fuqishëm dhe të mbrojë interesat e vendit dhe qytetareve nga kjo skeme e kapjes se pushtetit dhe e batërdisjes së paralajmëruar të shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›