E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Ekipi i Ramës i paaftë, me reflekse korruptive dhe autoritare!

01-08-2013 / Gazeta 55

Kreu i PD: Në qeverinë e re shpifësit më të zellshëm. U lanë jashtë vlera e kapacitete të PS

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sot nga selia blu kabinetin qeverisës të zotit Rama të prezantuar një ditë më parë, duke e cilësuar atë një ekip eksperimental. Sipas kreut demokrat, ata janë protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit gjatë qeverisës së korruptuar para viti 2005. “Edi Rama njoftoi dje ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes së shqiptarëve dhe që do të përgjigjet për premtimet piramidale dhe amatoreske me të cilat erdhi në pushtet. Tok me emrat e shqiptuar dje nga Kryesocialisti, në veshët e shqiptarëve gjëmuan jehonat e të shkuarës së palavdishme dhe të bëmave të errëta të anëtarëve të këtij ekipi eksperimental.
Aktorë të së kaluarës së largët, ministra të Ramiz Alisë, protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti gjatë qeverisjes së korruptuar të para 2005, sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të vendimmarrjeve Europiane, protagonistë të lidhjeve me trafiqet dhe lidhje nepotike dhe menaxhues të njohur të interesave të ish kryetarit në Bashkinë e Kryeqytetit deri para dy vitesh”- deklaroi Basha.
Sipas tij ekipi i qeverisjes Rama mbledh paaftësinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual dhe reflekset korruptive dhe autoritare, duke lënë jashtë vlera dhe kapacitete serioze te Partisë Socialiste, dhe duke përfshirë kamikazë personale Edi Rama shkelmoji çdo parim qeverisës te një demokracie parlamentare dhe shpiku rregulla te paqena ne funksion te kapjes dhe mbajtjes te gjithë pushtetit për veten dhe tarafin e tij.
“Pas tërheqjes nga çdo premtim qe u ka bere qytetareve me 23 Qershor njoftimi i djeshëm nuk habit askënd, por vërteton se qeveria e zotit Rama nuk mund të ishte veçse një bashkësi, që do i shërbejë kryetarit për të përmbushur ëndrrën e tij për t’u ndjerë Kryeministër dhe jo për t’ju shërbyer qytetarëve! Ky pra nuk është ekipi qe do tu shërbejë Shqiptareve por ekipi qe do t’i përulet kryetarit dhe do ti shërbejë vetëm interesave te tij dhe te kupolës se erret te 23 Qershorit! Çdo Shqiptar duhet ta dije sot se shume shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës dhe përçmues ndaj vullnetit dhe interesave te tyre do te rendojnë mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e tyre dhe te familjeve te tyre”- vijoi Basha.
Në fund të fjalës së tij Kryetari demokrat theksoi se Partia Demokratike është e vendosur që në respekt të parimeve më të shenjta të demokracisë parlamentare dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptare të përballet fuqishëm dhe të mbrojë interesat e vendit dhe qytetareve nga kjo skeme e kapjes se pushtetit dhe e batërdisjes së paralajmëruar të shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›