E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Fund abuzimit me tokën në Tiranë

27/04/2011  Kandidati i PD-së për kryeqytetin takon banorët e dy njësive dhe përfaqësues të bizneseve

Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premton zgjidhjen e problemeve të kompensimit të tokës, duke garantuar se do t’i japë fund abuzimit me pronën dhe se çdo centimetër tokë që do të përdoret për investime publike do të kompensohet me vlerën e tregut. Zgjidhja e problemit me ujësjellësit, si dhe krijimi i një linje transporti Tiranë-Vorë për punonjësit e bizneseve të autostradës, ishin të tjera premtime që kandidati bëri gjatë bashkëbisedimit me banorë të njësisë bashkiake nr. 3. “Moskompensimi i pronarëve për pronat e tyre nuk mund të ndodhë më dhe nuk do të ndodhë më. Me planin e ri urbanistik çdo pronar do të ketë të drejtë ta zhvillojë pronën e vet në mënyrë proporcionale dhe asnjë centimetër katror pronë nuk do të preket pa dëmshpërblim me vlerën e tregut”, tha Basha. Sa u takon taksave të bashkisë, kandidati i PD-së premtoi heqjen e taksës së tabelave dhe të gjelbërimit, ndërkohë që premtoi zvogëlimin deri në tri herë të taksës së pastrimit. Po ashtu ai premtoi se që nga shtesat e deri tek hapja e dritareve, të gjitha volumet e vogla të ndërtimit, do të kalojnë në kompetencë të njësive bashkiake. Në platformën e tij elektorale, Basha parashikon edhe furnizim 24 orë me ujë, rrjet të përmirësuar të kanalizimeve dhe sistem modern të trajtimit të ujërave të ndotura. Në një takim me banorë të Komunës së Parisit, të cilët e vuajnë më së shumti mungesën e kanalizimeve, Basha tha se një nga vendimet kryesore si kryetar bashkie do të jetë marrja në administrim e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.

“Është e vetëkuptueshme që problemi kryesor i Ujësjellës-Kanalizimeve do të jetë përgjegjësi kryesore, kardinale e përditshme e Bashkisë së Tiranës. Kjo përgjegjësi do të nisë me transferimin e kompetencave tek bashkia e Ujësjellës-Kanalizimeve, dhe pastaj me ndërhyrje emergjente, si dhe me ndërhyrjen e madhe të planifikuar në të gjithë Tiranën, në mënyrë që t’i japim fund sa më shpejt kohës kur qytetarët e Tiranës flasin akoma për ujin dhe kanalizimet si problemet e tyre të përditshme”, tha Basha. Gjithashtu rivali i Ramës për kryeqytetin i garantoi qytetarët për normalizimin e çmimeve në Tiranë, rrjedhimisht krijimin e lehtësirave fiskale për bizneset e Tiranës.

Agrobiznesi

Në një takim me Shoqatën e Agrobiznesit, kandidati Basha paraqiti platformën sipas së cilës parashikohej krahas uljes së taksave edhe ngritja e tregjeve me kushte optimale ndërtimi, një qendër panairesh, licencim dhe ndërtim të thertoreve etj.

Komunikimi

Kandidati Basha pasditen e së hënës për më shumë se një orë u ndoq dhe bashkëbisedoi me rreth 3500 vizitorë të portalit të tij online. Ai është politikani i parë në Shqipëri që shkëmben “live” me qytetarët idetë dhe projektet, përmes rrjetit social “Facebook”.

Kryeministri vijon turin elektoral në tri qytete të jugut të Shqipërisë

Premtimi për deri pesëfishimin e investimeve

Berisha kërkon votën për kandidatët e tij në Përmet, Tepelenë e Memaliaj

Kryeministri Berisha vijoi dje fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme vendore në qytetin e Përmetit, Tepelenës dhe Memaliajt, ku prezantoi kandidatët e koalicionit të djathtë për secilën bashki, respektivisht Kujtim Hoxha, Sevo Miçi dhe Hatixhe Qendraj. Në secilin prej tubimeve elektorale, kreu i qeverisë shprehu mbështetjen për secilin prej kandidatëve, si dhe kërkoi votën e qytetarëve për ta. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë se fitoren e kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin” në këto bashki dhe komunat përreth tyre, në datën 8 maj, do ta shndërrojë në një sukses për çdo qytetar dhe çdo familje, në 4 vitet që vijnë. Në mënyrë të veçantë për Përmetin numri një i qeverisë shqiptare përmendi se gjatë këtyre 4 viteve janë investuar në shkollat, ujësjellësit, kanalizimet dhe shërbimin shëndetësor të këtij rrethi rreth 10 milionë dollarë, ndërkohë që u zotua se në 4 vitet që vijnë kjo shifër do të arrijë në 50 milionë dollarë. Me premtimin për një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore për Përmetin dhe zonat përreth, kryeministri garantoi se në 4 vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë dhe rrugicë e këtij qyteti dhe të fshatrave përreth, si dhe do të përfundojnë rrugët Përmet-Tepelenë, Këlcyrë-Ballaban, Përmet-Tre urat. Në tubimin e Tepelenës, Berisha siguroi se në katër vitet që vijnë investimet në këtë rreth do të katërfishohen dhe se qeveria do të investojë e punojë për ndërtimin e Tepelenës së zhvilluar, Shqipërisë së zhvilluar. Ai kërkoi që qytetarët të zgjedhin alternativën e mazhorancës dhe jo atë të kundërshtarit të tij politik, Edi Ramës. “E nisi me tabelën para se ‘fajin e ka Saliu’, por problemi ishte se kalonte nga qyteti në qytet, nga sheshi në shesh me Saliun para, por pastaj e hoqi, e hoqi sepse e di që vetë është mbrapa, e di që nuk ka shanse”, tha Berisha.

PDIU çel fushatën në Paskuqan

Integrimi i periferisë, pjesë e programit elektoral

PDIU çeli fushatën në Paskuqan, nga ku kryetari i saj, Shpëtim Idrizi, deklaroi se në programin zgjedhor të kësaj force ekziston plani konkret që zonat periferike të kryeqytetit të kenë të njëjtin cilësi jetese me vetë kryeqytetin. Ai u bëri thirrje të gjithë banorëve të Paskuqanit dhe sidomos të rinjve, që të votojnë PDIU-në në zgjedhjet lokale të 8 majit, si një parti patriotike shqiptare. “Në programin tonë për pushtetin vendor parashihet qartë se zonat periferike të kryeqytetit duhet të integrohen. Ne propozojmë krijim të disa qendrave urbane dhe administrative në qytetin e Tiranës, dhe rregullim përfundimtar urban të zonave të periferisë së saj, ku Paskuqani është njëri prej prioriteteve kryesore, nëpërmjet planeve rregulluese të integruara me gjithë kryeqytetin. Ne ofrojmë politika nxitëse për zonat e periferisë, që banorët e tyre të ndihen në të gjitha kuptimet banorë të kryeqytetit. Ofrojmë shkollim, kurse formimi për fëmijët e zonave të periferisë, sepse për ne thelbi i patriotizmit modern shqiptar janë vetë qytetarët”, tha Idrizi. Në këtë takim u prezantua edhe kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të komunës Paskuqan, Fatos Rexha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›