E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha-Jasipoviçit: Synimi, Tirana më atraktiv për investime

 Zoti Basha nënvizoi se vizita e Presidentit Josipovic është e para e një presidenti në Bashkinë e Tiranës, që pas marrjes së detyrës së Kryetarit të Bashkisë.

 Kjo vizitë, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për Kroacinë, është një inkurajim i madh edhe për Shqipërinë, në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.  Basha shprehu  përgëzimet e tij, për arritjen historike të Kroacisë, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç ishte nënshkrimi i Traktatit  të Aderimit në BE, të cilin qytetarët kroatë e  rikonfirmuan, gjatë referendumit të zhvilluar pak ditë më parë.  

Presidenti kroat Josipovic,  duke uruar që rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE, të jetë më e shkurtër se e Kroacisë nënvizoi se statuti i vendit kandidat, do të jetë dhurata më e mirë që mund të marrë Shqipëria, në 100 vjetorin e Pavarësisë. Zoti Basha e ka njohur Presidentin kroat, për projektet  strategjike të Bashkisë së Tiranës, siç është zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve dhe ndërtimi i dy linjave të tramit, për të cilat eksperienca e Zagrebit, sipas Bashës, është e mirëpritur. 

Ekspertët më të mirë në fushën e urbanistikës, sipas Bashës, janë të angazhuar në hartimin e planit urbanistik. “Përmirësimi i klimës së biznesit, për ta bërë Tiranën një qytet miqësor dhe më atraktivin për investitorët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon është një nga synimet kryesore”, theksoi në këtë takim,

Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në këtë funksion, ndër vendimet e para të marra nga Këshilli Bashkiak ka qenë heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore. Aktualisht po punohet për reduktimine lejeve dhe liçensave dhe krijimin e një sporteli unik për to. Transparenca, sipas Bashës, do të jetë në qendër të çdo vendimarrje në Bashkinë e Tiranës. Çdo taksë e mbledhur dhe e shpenzuar do u bëhet e ditur qytetarëve, sikundër ata do të  jenë pjesë e vendimarrjeve të rëndësishme.

“Zëri i qytetarëve do të dëgjohet, - tha Basha – duke filluar nga Kryetari i Bashkisë e të gjithë drejtorët presin dhe dëgjojnë problematikat e qytetarëve”. Ashtu siç ndodhi gjatë hartimit të buxhetit, ku në çdo njësi bashkiake ai u konsultua me qytetarët, do të vijohet edhe me hartimin e planit urbanistik si dhe iniciativa të tjera të rëndësishme, në shërbim të qytetarëve.

                                                                                             2012-01-24 15:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›