E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Jemi angazhuar bashkarisht per Tiranen evropiane

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha uroi sot studentët e Universitetit të Tiranës për fillim e vitit të ri akademik, dhe foli për marrdhënien e re mes Bashkisë së Tiranës dhe botës akademike në kryeqytet.

Z.Basha u ndal tek tre angazhimet kryesore të Bashkisë që kanë të bëjnë me përfshirjen në planin urbanistik të godinave dhe ambjenteve të reja studentore, ngritjen e një fondi me të paktën 1 milionë euro për stazhin e studentëve si dhe hartimin e Kartës së Studentit, një dokument që parashikon lehtësi të ndryshme financiare për studentët e Tiranës.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule si dhe dekanët e disa fakulteteve të pranishëm në këtë ceremoni vlerësuan marrëdhënien e re me Bashkinë e Tiranë dhe shprehën vullnetin për të bashkëpunuar në funksion të cilësisë së jetës akademike në kryeqytet.

Më poshtë, mesazhi i plotë i z.Basha dhënë para studentëve dhe pedagogëve:

“Sot është një ditë e veçantë për studentët, pedagogët, stafin akademik e shkencor anembanë vendit, është një ditë e veçantë, sepse mbi 54 mijë studentë, mbi 5000 pedagogë e kërkues shkencorë në Universitetet e Tiranës nisin sot vitin akademik dhe s’ka si të mos jetë një ditë shumë e veçantë për qytetin e Tiranës, edhe për mua personalisht, si Kryetar i Bashkisë. Vura re me kënaqësi gumëzhimin e veçantë të Tiranës sot në mëngjes, që është treguesi i parë i intensitetit të ri, me të cilin qyteti nis ditën e sotme dhe me të cilën do të nisë me dhjetëra e qindra ditë të tjera të këtij viti akademik.

Është një ditë e veçantë, sepse ka ardhur koha që bota universitare e Tiranës dhe qyteti i Tiranës, të nisin një partneritet të ri, të nisin një marrëdhënie të re, për të cilen jemi zotuar bashkarisht dhe për të cilën po bëjmë të gjithë përgatitjet. Kjo marrëdhënie e re duhet të karakterizohet në radhë të parë, nga vetëdijësimi i qytetit të Tiranës, i Bashkisë së Tiranës, i çdo qytetari të Tiranës, për pasurinë e jashtëzakonshme që paraqet bota universitare e Tiranës. Nuk ka krenari më të madhe për mua si Kryetar i Bashkisë, se sa të them se në qytetin tim ka mbi 54 mijë studentë dhe mbi 5000 staf pedadogjik. Kjo pasuri e jashtëzakonshme është edhe një energji e madhe, në planet e zhvillimit të qytetit të Tiranës dhe ju e dini se jemi angazhuar, bashkarisht, që të fillojmë të ndërtojmë Tiranën Europiane të shekullit të 21-të.

Në këtë plan të madh, sigurisht që qyteti duhet të mbajë përgjegjësitë e veta karshi jush dhe unë dua t’ju informoj sot, se ne jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar një nga premtimet e mia kryesore; kartën bashkiake të studentit, për çdo student të Universitetit të Tiranës dhe të të gjithë universiteteve që rezidojnë në këtë qytet. Kjo kartë studentore do të jetë në duart tuaja dhe do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, lehtësirash, që nga transporti publik, tek jeta kulturore, tek shërbimet e infrastrukturës ushqimore e shumë të tjera. Po kështu, ne po punojmë sëbashku me Këshillin Bashkiak, anëtarë të të cilit janë edhe pedagogë të nderuar të Universiteteve të Tiranës, për një nga hapat më të rëndësishëm, jo vetëm për brezin tuaj, por për shumë breza të tjerë të ardhshëm, sepse është një hap që nuk do të bëhet për zgjedhjet e ardhshme, por do të bëhet për brezin e ardhshëm, hartimin e planit të ri urbanistik të Tiranës. Në këtë plan, një nga ngjyrat më të rëndësishme urbanistike do të jetë ngjyra e Kampusit, apo Kampuseve dhe Korpuseve të reja Universitare, në qytetin e Tiranës.

Menjëherë pas kësaj, ne do t’i përvishemi punës, në bashkëpunim me ju, në bashkëpunim me sektorin privat, në bashkëpunim me faktorët institucionalë, për të filluar ndërtimin e një prej Kampuseve më modernë, ku jo vetëm të mësohet mirë, jo vetëm të shijohet jeta studentore, si pjesë e pandarë e eksperiencës studentore, por edhe të hidhen hapat e parë, në urën e rëndësishme që lidh botën akademike me botën e punësimit. Dua të ndalem edhe këtu një çast e të shpall publikisht sot, se në buxhetin e vitit 2012, unë kam si qëllim t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës, një buxhet prej jo më pak se 1 milionë eurosh, për programin e stazheve, për të gjithë studentët që studiojnë në Tiranë. Kjo shumë, e cila jam i sigurt, të paktën do te dyfishohet, por ndoshta edhe trefishohet nga kontributet e institucioneve të tjera private apo publike, do të përdoret ekskluzivisht, për të hapur një vend praktike për këdo student që e dëshiron atë, në institucionet publike, siç është vetë Bashkia e Tiranës, apo vetë institucionet qendrore të shtetit, por po kështu, në të gjithë gamën e madhe të ofertës të sektorit privat, nga korporatat tek kompanitë e vogla dhe të mesme, tek bankat, organizatat joqeveritare, tek institucionet e kulturës, në mënyrë që çdo student i Universitetit të Tiranës apo universiteteve të tjera në Tiranë, të gjejë mundësinë për të hedhur hapat e parë drejt punësimit të tij dhe të saj, si një qëllim madhor dhe prioritet kryesor i Lulzim Bashës si Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në çdo investim që ne bëjmë tek studentët e Tiranës, për çdo euro, lekë apo dollarë që investojmë tek studentët e Tiranës, ne do të marrim shumë më shumë dhe jo vetëm në vlerë materiale, sepse pasuria jonë, jam i sigurtë, nuk mund të matet vetëm me vlera monetare.

Ne presim që këtë vit të veçantë, kur kemi shpallur një objektiv kaq ambicioz, siç është përfundimi i Planit Urbanistik të Tiranës, të kemi mbështetjen dhe përfshirjen e plotë, jo vetëm të arkitektëve dhe urbanistëve, inxhinierëve ndërtimorë etj, por të çdo kapaciteti intelektual, akoma në bankat e universiteteve, apo i sapodiplomuar, profesor me përvojë, apo në hapat e parë të kërkimit shkencor, sepse përcaktimi i cilësisë së ambientit, ku ne dhe brezat e ardhshëm do të jetojmë, është pa dyshim edhe ushtrimi më i mirë, ku mund të përqëndrohet energjia e jashtëzakonshme e intelektualit që përfaqëson sot bota universitare, bota e studentëve dhe pedagogëve, këtu në Tiranë.

Prandaj, duke ju garantuar për dyert e hapura dhe dëshirë për bashkëpunim, pres z.Rektor, nga ju dhe kolegët tuaj, nga trupa juaj pedadogjike dhe nga të gjithë studentët e qytetit të Tiranës, t’i përvishemi kësaj marrëdhënie të re, t’i përvishemi këtij partneriteti të ri, t’i përvishemi përpjekjes sonë, për Tiranën e brezit të ardhshëm, për Tiranën e shekullit të 21-të.

Ju uroj suksese në këtë vit akademik!”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›