Basha-Josipovic: Tirana e hapur ndaj investimeve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim të veçantë, Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipovic. Zoti Basha nënvizoi se vizita e Presidentit Josipovic është e para e një presidenti në Bashkinë e Tiranës, që pas marrjes së detyrës së Kryetarit të Bashkisë. Kjo vizitë, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për Kroacinë, është një inkurajim i madh edhe për Shqipërinë, në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Basha shprehu përgëzimet e tij, për arritjen historike të Kroacisë, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç ishte nënshkrimi i Traktatit të Aderimit në BE, të cilin qytetarët kroatë e rikonfirmuan, gjatë referendumit të zhvilluar pak ditë më parë.
Nga ana tjetër, Presidenti kroat Josipovic, duke uruar që rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE, të jetë më e shkurtër se e Kroacisë nënvizoi se statuti i vendit kandidat, do të jetë dhurata më e mirë që mund të marrë Shqipëria, në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Zoti Basha e ka njohur Presidentin kroat, për projektet strategjike të Bashkisë së Tiranës, siç është zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve dhe ndërtimi i dy linjave të tramit, për të cilat eksperienca e Zagrebit, sipas Bashës, është e mirëpritur. Ekspertët më të mirë në fushën e urbanistikës, sipas Bashës, janë të angazhuar në hartimin e planit urbanistik.
"Përmirësimi i klimës së biznesit, për ta bërë Tiranën një qytet miqësor dhe më atraktivin për investitorët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon është një nga synimet kryesore", - theksoi në këtë takim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në këtë funksion, ndër vendimet e para të marra nga Këshilli Bashkiak ka qenë heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore. Aktualisht po punohet për reduktimine lejeve dhe liçensave dhe krijimin e një sporteli unik për to. Transparenca, sipas Bashës, do të jetë në qendër të çdo vendimarrje në Bashkinë e Tiranës. Çdo taksë e mbledhur dhe e shpenzuar do u bëhet e ditur qytetarëve, sikundër ata do të jenë pjesë e vendimarrjeve të rëndësishme.
"Zëri i qytetarëve do të dëgjohet, - tha Basha - duke filluar nga Kryetari i Bashkisë e të gjithë drejtorët presin dhe dëgjojnë problematikat e qytetarëve". Ashtu siç ndodhi gjatë hartimit të buxhetit, ku në çdo njësi bashkiake ai u konsultua me qytetarët, do të vijohet edhe me hartimin e planit urbanistik si dhe iniciativa të tjera të rëndësishme, në shërbim të qytetarëve.
Zoti Basha gjithashtu e njohu Presidentin me nismën e tij, për të vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me bashki të vendeve të rajonit të BE-së, por edhe më gjerë. Në këtë kuadër, zoti Basha tha se administrata e drejtuar prej tij është e angazhuar, për të ndërmarrë nismat dhe hapat e nevojshëm, për të sjellë më pranë Tiranën me Zagrebin dhe biznesmenët e dy qyteteve.