Fyle:Serbia të plotësoj kushtet e BE-së

Serbia mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nëse i përmbush kushtet me kohë, ka thënë komisioneri evropian për zgjerim, Stefan Fyle gjatë takimit me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, në Bruksel.
“Kam pranuar përkushtimin e udhëheqësisë serbe për integrimet evropiane. Kam theksuar se Bashkimi Evropian pret një qasje më aktive në vazhdimin e dialogut me Prishtinën, e sidomos në fushën e përfaqësimit rajonal”, ka thënë Fyle.
Sipas tij, "nëse përparimi ndodh në kohë, Këshilli Evropian, në sesionin e ardhshëm, do të konfirmojë vendimin për dhënien e statusit të kandidatit evropian Serbisë".
Në dhjetorin e kaluar, BE-ja ka shtyrë vendimin për Serbinë, duke i kërkuar si kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Dje, ministrat e jashtëm evropianë kanë ritheksuar se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun, të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani si dhe të punojnë edhe për marrëveshje të reja.