E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Klika marksiste erdhi në pushtet përmes mashtrimit

14-07-2013 / Gazeta 55

Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie, ne Bilisht, Tepelenë dhe Ersekë. Zoti Basha ka theksuar se mazhoranca e re, ende pa ardhur në pushtet ka filluar të tërhiqet nga premtimet e saj, duke u faktuar shqiptarëve, se projekti i saj ishte thjesht dhe vetëm mashtrim. “Asnjë forcë demokratike, vetëm klikat marksiste vijnë në pushtet me mashtrime dhe premtimet e tyre, çdo ditë po faktohen që janë mashtrime nga të cilat po fillojnë të tërhiqen akoma pa u zhdukur boja nga gishti i votuesve të mashtruar të 23 qershorit. Premtuan heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe kritikuan taksën tonë të sheshtë por pardje thanë se taksa e Sali Berishës qenka taksa më e mirë për ekonominë. Premtuan shëndetësi falas por tani na thonë që: “jo, s’kemi marrëveshje koalicioni, do jetë falas apo jo”. Premtuan 300 mijë vende pune por kanë filluar me konkurse në faqen zyrtare të Internetit të Partisë Socialiste, çka paralajmëron pushime masive të administratës dhe zëvendësimin e tyre me militantë, mendësi kryekëput e partisë -shtet” – theksoi z. Basha.



Kjo mazhorancë e premtimeve piramidale, sipas Bashës duhet të përballet çdo ditë dhe çdo orë me mazhorancën morale të shumicës së shqiptarëve. Zoti Basha ka theksuar se PD ka qenë që në krijim të saj dhe mbetet edhe sot, e vetmja shpresë e shqiptarëve për zhvillim dhe integrim. Partia Demokratike e cila bëri realitet ëndrrat shekullore të shqiptarëve, sipas Bashës do të jetë e gatshme që nesër t’u kthejë shqiptarëve shpresën për të ardhmen. “Përballë na kanë ne, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë Demokratike të Sali Berishës, Partinë Demokratike të Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos që shembën komunizmin, eliminuan pasojat e tij, vunë bazën e parë të ekonomisë së tregut. Jemi ne që krijuam trashëgiminë e mirëqënies përmes punësimit, punësimit përmes investimeve, investime përmes një klime biznesi të paparaleltë në stimuj dhe lehtësira. Për këtë, jemi dhe duhet të jemi në çdo moment krenarë, kokëlartë dhe dinjitozë!”  



Lulzim Basha: Si kryetar i PD, kontakte të drejtpërdrejta me çdo anëtar e militant të PD 



Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë, në Leskovik, Përmet dhe Paskuqan. Zoti Basha e ka konsideruar si një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, mungesën e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarësisë së PD si dhe garantoi se si kryetar i PD, do të mbajë një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD. “Një gjë mund t’ua them sot, jo si konkluzion por si mendimin tim personal, si zërin tim individual, si anëtar i PD, se një ndër arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mungesa e mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD, ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike është të korrigjojmë këtë gabim dhe ta nisim duke bërë të mundur, që në bazë të kontributit të çdo anëtari nga dita e parë e themelimit të partisë e deri më sot të vlerësohen edhe meritat, sot në opozitë dhe nesër në pushtet. Personalisht angazhohem, nëse më besohet kjo detyrë e lartë, që të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD” – deklaroi z. Basha.



Sipas Bashës, mazhoranca e re ka nisur që sot të zmbrapset nga premtimet e saj, me pretendimin se projekti i saj është për 8 vjet dhe jo për katër. “Partia Demokratike, - tha Basha, duhet të jetë gati të rikthehet si mazhoranca e shpresës, për ëndrrat dhe aspiratat shqiptarëve”. “Që sot kanë filluar të zmbrapsen si akrepi dhe të justifikohen në mënyrën më të paturpshme, se objektivat me të cilat morën pushtetin, mashtrimet e rilindjes së mashtrimit i paskan bërë për 8 vjet por shqiptarët i votuan për 4 vite. Sot, na lind detyra të bëhemi gati, në mënyrë që duke i shkurtuar ditët kësaj mazhorance të mashtrimit, ne të jemi gati një orë e më parë, për t’u rikthyer si mazhoranca e shpresës dhe si forca e vetme ku mund të mbështeten shqiptarët e ndershëm për ëndrrat e aspiratat e tyre” Po ashtu, Basha ka theksuar se Partia Demokratike do të jetë në qendër të një opozite të gjerë, përballë rilindjes se mashtrimit. “Që sot, ne duhet ta vendosim veten tonë në qendër të një fronti të gjerë opozitar, me të gjithë faktorët shoqërorë, të përndjekurit, pronarët, rinia, biznesi i vogël dhe i mesëm deri tek faktorët e tjerë shoqërorë, bota akademike, shoqëria civile të cilët e kuptojnë se mazhoranca e zullumit të 23 qershorit është në konflikt interesi me interesat e tyre dhe kanë shpresë që PD do të jetë mbrojtja, avokatja e interesave të tyre”- tha ai.  



Olldashi në Elbasan: PD duhet t’ia kthejë partinë militantit



Sokol Olldashi, kandidat për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë deklaroi në Elbasan se ringritja e Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, por nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë, militantët. Në referencë të paketës për ristrukturimin e PD-së, Sokol Olldashi kërkoi të përcaktohen me statut: mekanizmi i rezultatit dhe mekanizmi i karrierës. “PD duhet t’ia kthejë “partinë” militantit !”- deklaroi Olldashi për të vënë në kohë të plotë pune, të gjithë motorët e kësaj force politike, gjigante. “Ringritja, fillimi i ri i Partisë Demokratike nuk fillon nga Kryetari i ri, fillon nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë të partisë, asnjë organizëm nuk mund të funksionojë n.q.s nuk funksionon qeliza bazë, nëqoftë nuk funksionon AND-ja . Dhe ADN-ja e Partisë Demokratike nuk është Kryetari, nuk është kryesia, nuk është Këshilli Kombëtar, është demokrati i thjeshtë. Partia Demokratike duhet të ndërtojë me shpejtësi inventarin e kontributeve për secilin anëtarë të saj. Vetëm kështu do të jemi në gjendje që t’i japim gjithsecilit meritën që ka. Në bashkëbisedimin me demokratët e Elbasanit , Sokol Olldashi theksoi rëndësinë e një veprimi të fortë opozitar për të kthyer Partinë Demokratike në një kohë sa më të shkurtër, në destinacionin e përhershëm të saj, fitoren. Piramida e gënjeshtrave të Ramës ka nisur të rrëzohet”-tha Olldashi dhe PD ka përpara një mur që shembet lehtë. “Shikoni, çfarë po ndodh me administratën. Kanë deklaruar për vite me radhë që ky vend ka 1 milion të papunë dhe sot deklaruan që ka vetëm 5 mijë e 300 aplikime në Partinë Socialiste. Ku janë 1 milion të papunët?! E gjithë piramida e gënjeshtrave elektorale të Edi Ramës do të fillojë të çmontohet një e nga një. Ne duhet të vazhdojmë dialogun më intensiv të mundshëm me qytetarët shqiptarë për të rrëzuar çdo skemë, çdo premtim, çdo politikë të shpallur, gjoja prej tyre”- tha ai.



Kandidati për drejtimin e Partisë më të madhe të se djathtës në vend, Sokol Olldashi, në vijim të takimeve në Qarkun Elbasan, për prezantimin e platformës së tij për t’u votëbesuar si Kryetari  i ardhshëm i Partisë Demokratike, u takua edhe me anëtarët e kësaj partie në Cërrik, dhe Gramsh. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›