E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Marëveshje për punësimin e qytetarëve në Katar

Marrëveshja e nënshkruar  sot mes mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Kryetarit të   Bashkisë së Dohas Mohammed Ahmed Al-Sayed i hap rrugë bashkëpunimit mes dy qyteteve në fusha si infrastruktura, ndërtimi, shërbimet etj.

Kryetari i Bashkisë se Dohas shprehu kënaqësinë që i jepej mundësia edhe përmes kësaj marrëveshje të ndihmonte Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në projektet e tij ambicioze sikur vlerësoi se kjo është marëveshja e pestë që Doha nënshkruan me qytete të tjera në mbarë botën.

Marrëveshja e binjakëzimit mes Dohas dhe Tiranës  parashikon bashkëpunim në fushën e ndërtimit, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe licencave për biznesin, bashkëpunim në fushën e billboard-eve të të gjitha llojeve, zhvillimi i programeve të përbashkëta ndërmjet dy bashkive për shkëmbimin e eksperiencave dhe trajnimeve në fusha e ndërtimit, higjenës, edukimit dhe riciklimit të mbetjeve, bashkëpunim në fushën e privatizimit të shërbimeve që ofrohen nga dy bashkitë, përfitimi nga eksperiencat e dy qyteteve në fushën e gjelbërimit dhe zbukurimit të qytetit, bashkëpunim në fushën rregullatore dhe programeve të edukimit mbi shëndetin.

Po kështu do të bashkëpunohet në ngritjen dhe zhvillimin e standardeve të shërbimeve publike, si dhe rritjen e performancës të mekanizmave për të ecur me hapin e zhvillimit dhe progresit në fushën e shërbimeve bashkiake.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi një takim me ministrin e Pushtetit Lokal dhe Planifikimit Urban, Sheikh Abdul Rahman Bin Khalifa Bin Abdul Azziz Al-Thani, ku e ka njohur me projektet e tij për zhvillimin e Tiranës që nga hartimi i Planit Urbanistik , zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit etj.  Ministri i Pushtetit Lokal dhe Planifikimit Urban u shpreh i gatshëm të ndihmojë Tiranën në realizimin e këtyre projekteve duke ofruar asistencën dhe eksperiencën e Katarit,  vend i cili po zbaton sot metodat më të avancuara të projektimit  dhe  ndërtimit.

 ZhvIllimi ekonomik dhe punësimi,  sipas zotit Basha, janë prioritet e Bashkisë së Tiranës dhe në këtë kuader, zoti Basha theksoi se po ndërmerr njësërë nismash dhe vendimesh për ta bërë Tiranën qytetin më miqësor për investime.  Kryebashkiaku Basha  tha se Tirana është e hapur dhe mirëpret investitorët e Katarit të shtrijnë aktivitetet e tyre në Tiranë. Z. Sheikh Abdul Rahman Bin Khalifa Bin Abdul Azziz Al-Thani u shpreh i gatshëm të ndihmojë në promovimin e potencialeve që ka Tirana dhe të nxisë biznesin e Katarit të investojë në kryeqytetin shqiptar.

Katari, si një nga shtetet me zhvillimin më të shpejtë ekonomik, ka edhe nevojën më të madhe për specialistë të fushave të ndryshme.  Për këtë arsye, kryebashkiaku, Basha  ka diskutuar me drejtues të Ministrisë së Punës  dhe Çështjeve Sociale  për nënshkrimin së shpejti të një marrëveshje punësimi mes dy vendeve. Kjo marrëveshje i hap rrugë punësimit të qytetarëve shqiptarë në Katar. Fushat ku nevoja për specialistë shqiptarë është më e madhe është ajo e inxhinierisë, mjekësisë, infermierisë, mesuesisë për specialist të gjuhëve të huaja etj. Autoritetet e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Katarit  janë shprehur të gatshëm të marrin përsipër edhe kostot financiare të tranimit professional të punonjësve shqiptarë për t’iu përshtatur tregut të tyre të punës. /Start/

                                                                                             2012-02-12 16:52
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›