Basha: Mbështetje projekteve japoneze në ekonomi
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha vlerësoi dje interesimin e kompanive japoneze në sektorë si energjetika, fushat minerare, teknologjia e informacionit etj. dhe shprehu interesimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur projektet e tyre në një realizim sa më të suksesshëm. Ministri shprehu edhe një herë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin dhe për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet më Japoninë. Kryediplomati shqiptar priti dje ambasadorin e Japonisë, Hiroyasu Ando, me rastin e akreditimit të tij si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën e Shqipërisë. Ministri Basha vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, marrëdhënie që shënuan kulmin me vizitën e Kryeministrit Berisha në Japoni, në shkurt të vitit të kaluar. Ministri shprehu falënderimet për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit. Gjatë takimit, ministri Basha vuri në dukje reformat e ndërmarra nga Shqipëria, duke vënë theksin tek politikat dhe reformat ekonomike. Nisma “1 euro”, regjistrimi i biznesit në një sportel të vetëm dhe eliminimi i shumë tarifave kanë krijuar një klimë mjaft të favorshme për investimet, provë e qartë kjo e vendosmërisë së qeverisë shqiptare e cila nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor në fushën e biznesit ka krijuar të gjitha lehtësirat për investitorët e huaj. Ambasadori japonez, nga ana e tij vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ai përgëzoi arritjet e Shqipërisë në proceset e integrimit dhe siguroi vazhdimësinë e mbështetjes së Shqipërisë nga qeveria japoneze. Në veçanti, ai vuri në dukje se Japonia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Vitin e kaluar qeveria japoneze afroi një ndihmë prej 3 milion USD për Kosovën dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, ambasadori falenderoi për kujdesin që qeveria shqiptare i kushton marrëdhënieve me Japoninë dhe mbështetjen e kandidaturave të saj në organizatat ndërkombëtare.
Bregu: Këtë muaj, kërkesa për në BE
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, njoftoi dje se Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në muajt e parë të këtij viti. Deklarata e saj vjen një ditë pasi vendi i fundit i BE-së, Greqia, ratifikoi MSA-në Shqipëri - BE. Sipas Bregut, ka një qëndrim të qeverisë shqiptare për të hedhur këtë hap të ri në rrugën e Integrimit në BE, por ende nuk ka një datë për të. Ndërkaq, Bregu ka sqaruar se vetëm tri vende të BE-së nuk kanë depozituar instrumentet e ratifikimit pranë KE-së, dhe kur ky proces do të përfundojë, atëherë do të hyjë në fuqi edhe MSA-ja. Procesi i ratifikimit të MSA-së Shqipëri - BE zgjati rreth dy vjet e gjysmë, pasi marrëveshja u nënshkrua në Bruksel më 12 qershor të 2006-ës. Po dje, me mbështetjen e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, dhe nismën e ndërmarrë nga Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE), u shpall 17 janari si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar. Gjatë një takimi me përfaqësues të Forumit për Demokraci dhe Etikë, ministrja Bregu pranoi ftesën e tyre për të marrë pjesë në Marshimin e Paqes, që do të organizohet më 17 janar në sheshin “Skënderbej” duke thënë: ''Kjo ditë do të jetë një mesazh i madh edhe për integrimin e vendit në BE, sepse këto ditë pritet të fillojnë edhe negociatat me BE-në, një mesazh mirëkuptimi mes palëve për të pasur zgjedhje të qeta dhe të ndershme, një mesazh për të gjithë shqiptarët''.