Kanadaja ratifikon Protokollin e NATO-s
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përshëndeti dje vendimin e Kanadasë për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kanadaja bëhet kështu vendi i 18-të anëtar që ka ratifikuar protokollin e aderimit të Shqipërisë në Aleancë.
Ky vendim u njoftua dje më datë 14 janar 2009, gjatë një ceremonie të organizuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, Z. Lorenc Kenon. Në fjalën e tij, ministri kanadez u shpreh se Kanadaja ka qenë një mbështetëse e fortë e aspiratave të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe ratifikimi i këtyre protokolleve është shprehja më e qartë e kësaj mbështetjeje. Vendet anëtare të NATO-s kanë shprehur në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s të mbajtur në datat 2-3 dhjetor 2008 në Bruksel, vullnetin e tyre për të përfunduar sa më shpejt ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, me qëllim që këto dy vende të anëtarësohen para samitit të Strasburg – Kehlit që do të mbahet në prill 2009. Kjo do të mundësonte pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë samit si anëtare me të drejta të plota.