E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten dyfish pagat për 457 punonjës të administratës gjyqësore



Dyfishohen pagat për 457 punonjës të administratës gjyqësore. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, pas propozimit të bërë nga ministri i Drejtësisë, në kuadër të nismës së ndërmarrë nga institucioni i drejtësisë lidhur me reformim rrënjësor të sistemit gjyqësore, si dhe përmirësimin e trajtimit të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Këshilli i Ministrave, përveç vendimit për rritjen dyfish të pagave për 457 punonjësit e administratës gjyqësore të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit, për herë të parë mori vendim edhe për pajisjen me pasaportë shërbimi për 270 gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë. Me iniciativën e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet përkatëse në vendimin “Një shtesë në vendimin nr. 335, datë 02.09.1997, të Këshillit të Ministrave “Për lëshimin e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit”, të ndryshuar”. Falë këtij ndryshimi do të pajisen për herë të parë me pasaportë shërbimi 270 gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë, në të cilët përfshihen gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Që prej vitit 2000, me pasaporta shërbimi janë pajisur gjyqtarët e gjykatave të Apelit (anëtarë të Gjykatës së Lartë posedojnë pasaporta diplomatike), ndërsa gjyqtarët e Shkallës së Parë ende nuk e gëzonin këtë benefic. Pajisja e gjyqtarëve me pasaportë shërbimi sjell lehtësimin e procedurës dhe shkurtimin e kohës së pajisjes me viza për gjyqtarët e Shkallës së Parë. Ky hap jo vetëm që do të përmirësojë statusin e gjyqtarëve, por do të ndikojë pozitivisht edhe në realizimin në kohë dhe me profesionalizëm të detyrave të tyre, duke ndikuar edhe në përmirësimin e imazhit të sistemit gjyqësor.

Pagat

Me iniciativë të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi dje miratimin e strukturës dhe të nivelit të pagave të Punonjësve të Administratës Gjyqësore, të Gjykatave të Shkallës së parë dhe të Gjykatave të Apelit. Ky vendimi u ndërmor në kuadër të ndryshimeve tërësore në legjislacionin e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim reformimin e këtij sistemi. Administrata e pushtetit gjyqësor nuk ka pësuar reformë në paga për një periudhë të gjatë kohore. Në këtë mënyrë, nivelet e pagave në këtë administratë krijojnë një motivim në punë të specialistëve e drejtuesve të tyre, gjë e cila ka ndikuar në realizimin në kohë e në cilësi të detyrave. Nga miratimi i strukturës dhe niveleve të pagave të punonjësve të administratës gjyqësore në mënyrë të njëjtë me nëpunësit e tjerë të administratës publike do të përfitojnë rritje page 457 punonjës, ku përfshihen edhe specialistët e IT dhe kryetarët e Degës së Buxhetit. Efekti ekonomik vjetor i llogaritur në buxhetin e vitit 2009 është në masën 129.806.847 lekë.

Përfitimet

Referuar vendimit të djeshëm të qeverisë, në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihet administrata gjyqësore e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit. Struktura dhe nivelet e pagave të punonjësve të administratës gjyqësore, në gjykatat e Shkallës së Parë dhe në gjykatat e Apelit, në pozicionet “Specialist”, “Sekretar gjyqësor”, “Kryetar dege”, “Kryesekretar gjyqësor” dhe “Përgjegjës i shërbimeve mbështetëse në Gjykatën e Krimeve të Rënda”, do të jenë sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Paga e grupit, diplomë e shkollës së lartë, është 11.000 lekë në muaj. Shtesa për vjetërsi në punë jepet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se për 25 vjet dhe llogaritet mbi pagën e grupit. Kategorizimi për çdo pozicion pune përcaktohet në urdhrin e miratimit të strukturës dhe të organikës së çdo gjykate. “Specialistët”, në institucionet e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së administratës gjyqësore dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10.000 lekësh mbi pagën mujore të kategorisë përkatëse. Miratimi i kësaj shtese bëhet rast pas rasti, nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, në përputhje me përshkrimin e pozicionit të punës. Punonjësit e tjerë të administratës së gjykatave, që nuk përfshihen në grupin e specialistëve, kryetar dege, sekretar gjyqësor apo përgjegjës i shërbimeve mbështetëse, do të trajtohen në pagë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”. Efektet financiare për vitin 2009 të përballohen nga fondet e miratuara për pushtetin gjyqësor, në buxhetin e vitit 2009. Për zbatimin e këtij vendimi, Këshilli i Ministrave ngarkon Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›