E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Më 9 maj në dispozicion të qytetit të Tiranës

06/05/2011  Kryesocialisti Rama prezanton projektin për parkun e qendrës së qytetit

“Rruga jonë transformim rrënjësor i Tiranës”

Rikonstruksioni i rrugës “Abdi Toptani” dhe pas 3 vjetësh ende e papërfunduar

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi dje fazat e projektit të parkut të qendrës së qytetit, ku si pjesë përbërëse e fazës së parë është dhe rikonstruksioni i rrugës “Abdi Toptani”. Në këtë prezantim kryebashkiaku Rama, njëherësh kandidat për një tjetër mandat në këtë post në zgjedhjet e 8 majit, vuri në dukje faktin se “jo vetëm rritja e hapësirave të parqeve në Tiranë, por dhe rritja e cilësisë së parqeve është një objektiv i pandashëm nga puna jonë e përditshme në rrugën e transformimit rrënjësor të Tiranës”. Gjithashtu gjatë fjalës së tij Rama sqaroi lidhur me hapësirën që do të përfshijë gjithë parku i qendrës së qytetit. Ndalur në këtë pjesë të parë, kreu socialist vlerësoi se “dëshirova të ndaj me qytetarët pamjen shumë shpresëdhënëse të këtij parku në zemër të qytetit, një park i cili integron të shkuarën, të sotmen dhe sigurisht dhe ëndrrën e së nesërmes, një park ku lidhen hapësira të gjelbra me godina të vjetra, me institucione dhe ku do të ketë një intensifikim të energjisë krijuese, duke e kthyer në një hapësirë ekspozimi të traditës, ekspozimi të natyrës dhe njëkohësisht ekspozimi të veprave të artit, ekspozimit të krijimeve të ndryshme, edhe për faktin se në këtë park kemi edhe Galerinë Kombëtare”. Kështu, sipas tij, ky park bëhet pjesë e një aktiviteti, që është një aktivitet institucional dhe i qëndrueshëm. “Në planin tonë parashihet ndërtimi i Teatrit Kombëtar, aty ku sot është salla e Parlamentit dhe transformimi po ashtu i një sërë hapësirash të tjera, deri më sot të lëna tërësisht pas dore dhe me funksione të papërshtatshme nga ana e qeverisë, në hapësira kulturore, në hapësira artistike, në hapësira me karakter shoqërizimin e qytetarëve, për aktivitete rekreative”, - deklaroi Rama gjatë këtij prezantimi.

Kandidati i mazhorancës zhvillon takimet e fundit elektorale

Në limitet kohore të fushatës elektorale kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, u kushtoi një vëmendje të veçantë takimeve me gra, nëna, gjimnazistë dhe të rinj të Tiranës. Kështu, në një pritje mjaft të ngrohtë dhe entuziaste, kandidati për kryebashkiak i Tiranës prezantoi platformën e tij në Pallatin e Kongreseve përpara grave të grup-moshave të ndryshme. Në fjalën e tij Basha preku çështjet kyçe që shqetësojnë këtë kolonë të rëndësishme të shoqërisë, duke dhënë përpara tyre dhe zgjidhjet për secilën pikë. “Duke filluar nga data 9 maj, do të jem në dispozicion dhe shërbim të plotë të qytetit të Tiranës, të qytetarëve të Tiranës, të nënave, grave, motrave të Tiranës. Dera ime do të jetë e hapur për këdo që ka problem, sepse bashkia dhe kryebashkiaku duhet t’i dëgjojë dhe t’i zgjidhë problemet. Veshët dhe sytë e mi nuk do të mbyllen para asnjë problemi, sado i rëndë qoftë, sado larg të jetë, për sa kohë që është problem i qytetarëve dhe qytetarëve të Tiranës”, - garantoi Basha gjatë fjalës së tij. Por duke qenë më konkret me zotimet përpara grave dhe vajzave në këtë takim, kandidati demokrat nënvizoi: “Kam një plan konkret për të normalizuar çmimet në këtë qytet, që fillon me uljen e shumëfishtë të taksave për qytetarët dhe bizneset e Tiranës dhe themelimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, agjenci e cila do të hulumtojë, godasë, raportojë këdo që spekulon me çmimet në Tiranë. Prandaj u them sot se do t’i ul taksat dhe do të bëj normalizimin e çmimeve në këtë qytet, prioritetin tim numër 1”. Gjithashtu, sipas tij, një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet grave kryefamiljare. “Në programin tim të strehimit, i cili parashikon një fond special për çiftet e reja në Tiranë, dhe 1000 apartamente sociale brenda katër vjetve të ardhshëm, do të ketë vend të bollshëm për të trajtuar problemin e tyre. Ne do të përparësojmë punësimin e gruas dhe krijimin e kushteve të barabarta të pagesës për gratë në këtë qytet”, - vuri në dukje Basha në këtë takim me gra të kryeqytetit.

Homazhe

Më 5 maj, në këtë ditë të veçantë të përkujtimit të heronjve kandidati i mazhorancës Lulzim Basha, vizitoi dje familjen e heroit të demokracisë Azem Hajdari. Gjatë fjalës së tij Basha shprehu mirënjohjen e thellë qytetare ndaj figurës së Azem Hajdarit, duke vlerësuar pranë familjarëve të Heroit të Demokracisë se shumë nga të mirat dhe liritë që të gjithë gëzojmë sot vijnë si kontribut i Azemit dhe gjeneratës së tij në lëvizjen për demokraci.

Takimi

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ishte i ftuar dje në një festë të një grupi maturantësh në Tiranë. Kandidati për kryebashkiak i garantoi ata se në politikat e tij do të mbeshtesë arsimimin e të rinjve duke u ofruar edhe mbeshtetje financiare. Basha parashikon si fillim 500 bursa për të rinjtë në pamundësi ekonomike dhe 100 bursa për më të mirët. Këta maturantë do përfitojnë në nisje të studimeve të larta kartën studentore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›