E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e LSI te “Nënë Tereza”, PS me aleatët tek “Asllan Rusi”

06/05/2011  Dy koalicionet mbyllin sot fushatën elektorale në Tiranë në orar të njëjtë

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për integrim mbyllin së bashku sot fushatën elektorale në Tiranë në orën 19:00, ku do të japin mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha. Burime në PD thanë dje se mbyllja e fushatës do të konceptohet si një koncert festiv, ku do të dominojë performanca e këngëtarëve më në zë të muzikës shqiptare. Thirrjet e folësve në miting më së shumti do të jenë në mbështetje të kandidatit për Tiranën Lulzim Basha dhe 11 kandidatëve për njësitë bashkiake në Tiranë, si një finalizim i fushatës 30-ditore mjaft të ngjeshur në kryeqytet. Gjithsesi, në fjalimet e kryeministrit, por dhe të krerëve të koalicionit, nuk do të mungojë thirrja për mbështetje ndaj kandidatëve të këtij koalicioni. E konceptuar si një fushatë për qytetarin, burimet në PD shprehen se do të shmangen akuzat ndaj kundërshtarit, madje do të synohet mospërmendja e emrit të tij në fushatë, një sinjal që kryeministri Berisha e dha dhe gjatë mbylljes së fushatës të kandidatit Xhaferri në Durrës ditën e mërkurë.

Partia Socialiste

Ndërsa nga ana e saj Partia Socialiste së bashku me aleatët do ta bëjë mbylljen e fushatës në ambientet e pallatit të sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, pikërisht në orën 19:00, kur e zhvillon dhe kundërshtari. Në ndryshim me Partinë Demokratike, e cila mitingun e sotëm e cilëson si mbylljen e fushatës kombëtare, Partia Socialiste ka në qendër të saj vetëm kandidatin e Tiranës dhe ku natyrisht do të tentohet përkrahja për kreun e PS-së, njëkohësisht kandidat për bashkinë më të madhe në vend, Edi Rama. Gjatë gjithë këtyre ditëve nga ana e simpatizantëve të PS-së janë shpërndarë fletëpalosje nëpër apartamentet e qytetarëve, ku u kërkohet vota për Edi Ramën.

Lëvizja Socialiste për Integrim

LSI-ja nga ana e saj deri pak para këtij evenimenti mendonte të bënte një mbyllje të fushatës në Pallatin e Kongreseve, por dalja me një kandidat të përbashkët në Tiranë, që është pikërisht Luzim Basha, kanë bërë që kjo parti të ndryshojë programin dhe të dalë me PD-në në mbyllje të zgjedhjeve lokale 2011.

Forcat e rendit kanë marrë masa për sigurimin e tubimeve

Zhvillimi i tubimeve larg njëri-tjetrit lehtësim për policinë

Zhvillimi i dy takimeve larg njëri-tjetrit duket se ka sjellë një frymëmarrje për Policinë e Shtetit, pasi do jenë më lehtësisht të kontrollueshme sesa të bëheshin njëri te “Nënë Tereza” dhe tjetri përballë Kryeministrisë, siç ishte përhapur lajmi në medie. Gjithsesi, burime nga drejtoria e policisë shprehen se sërish masat do të jenë në lartësinë e duhur për të siguruar qetësi maksimale gjatë zhvillimit të tyre. Një ditë më parë ishte drejtoria e policisë që njoftoi se PD-ja dhe PDIU-ja ishin të vetmet parti që kishin kërkuar leje për të zhvilluar tubime në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Nga ana e saj PS-ja duket se këtë ka preferuar ta bëjë takimin në sallë të mbyllur, duke përzgjedhur pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Gjithsesi, zhvillimi i tubimeve në dy vende të ndryshme është diçka pozitive edhe për sa i përket trafikut në Tiranë. Në rast se këto tubime do të zhvilloheshin pranë njëri-tjetrit, detyrimisht do të bllokohej sheshi “Skënderbej” i gjithi, ndërsa në këtë rast bllokimi do të ndodhë te kryqëzimi i Presidencës, duke lënë të lirë për automjetet dhe qytetarët pjesën tjetër të bulevardit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›