E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prioriteti i koalicionit, punësimi dhe projekte për zhvillim

06/05/2011  Ilir Meta mbyll fushatën elektorale në rrethin e Skraparit, kërkon votën për Nesim Spahiun

SKRAPAR – Në prani të mijëra banorëve të qytetit të Çorovodës dhe të rrethinave për rreth tij lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka i shoqëruar nga deputeti i qarkut z. Nasip Naço ka mbyllur takimin e tij elektoral për zgjedhjet vendore të 8 majit. Z. Meta së bashku me përfaqësues të parive të koalicionit “Aleanca për qytetarin” ka prezantuar për këtë bashki kandidatin z. Nesim Spahiu.

Në fjalën e tij Meta është ndalur në arritjet që ka pasur qeveria aktuale pas 2009-ës, ndërsa koalicioni “Aleanca për qytetarin”, ka përzgjedhur kandidatët më të mirë në këtë konkurrencë politike. “Është kënaqësi që jam këtu vetëm tre ditë përpara një fitoreje shumë të madhe të të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Çorovodës, por të gjithë Shqipërisë. Të fitores së qytetarëve mbi politikën, të fitores së interesave të qytetarëve mbi interesat e politikës. Ndaj kjo aleancë kaq e gjerë, kaq gjithëpërfshirëse quhet “Aleanca për qytetarin” dhe është e vendosur të fitojë më 8 maj në Tiranë, në Çorovodë, në Gjirokastër, në Përmet, në Poliçan, në Berat dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve dhe komunave të vendit tonë sepse më 8 maj qytetarët e Çorovodës dhe qytetarët e çdo bashkie dhe komune padyshim që e kanë vendosur se do të zgjedhin rrugën e integrimit evropian dhe jo rrugën e kundërvënies ndaj integrimit evropian vetëm për interesa të ngushta sikurse bën kryetari aktual i Partisë Socialiste dhe kryetari në largim i Bashkisë së Tiranës. Ndryshe nga kryetari aktual i socialistëve, koalicion ka punuar që nga dita e parë për integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ishte ky koalicion, i cili në kohë rekord sipas premtimit që ne dhamë realizoi liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Dhe nga kjo arritje madhore për çdo qytetar të Shqipërisë përfituan edhe ata, të cilët punuan në mënyrën më të pandershme, më antiqytetare, në mënyrën më antinjerëzore për të penguar liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. E pra, sot nga liberalizimi i vizave që realizoi ky koalicion kanë fituar të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, ka thënë Meta.

Programe konkrete

“Më 8 maj ka kandidat që vijnë në emër të “Aleancës për qytetarin”, të cilët kërkojnë votat tuaja bazuar mbi projekte konkrete, bazuar mbi një program konkret që zgjidh problemet dhe shqetësimet më jetike të përditshme të komunitetit tuaj dhe kudo tjetër dhe nga ana tjetër vijnë kandidat në emër të një koalicioni, i cili quhet i rrugës së vetme, një emër i denjë për një koalicion të para 30 viteve në Shqipëri, por jo të një Shqipërie demokratike, të një Shqipërie anëtare të NATO-s, të një Shqipërie evropiane. Ata vijnë e ju thonë që ne i duam vota tuaja në mënyrë që më 9 maj me bashkitë që ju do na i jepni, me komunat që ju do na i jepni ne të zihemi me qeverinë për interesat politike të Edi Ramës. Ndërkohë që çdo kryetar bashkie apo komune pavarësisht se cilës parti apo koalicioni i takon, pasi zgjidhet ka detyrë të jetë shërbëtor i të gjithë qytetarëve të Çorovodës e kudo tjetër, e ka detyrë të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë për të realizuar projektet, të cilat i duhen këtij komuniteti për të jetuar më mirë. Nesim Spahiu është emri i vetëm që figuron më 8 maj për kryetar të Bashkisë së Çorovodës, është emri i cili u kujton të gjithëve punën e palodhur dhe padurimin për të realizuar premtimet e dhëna. Nesim Spahiu është ai njeri që pas fitores së thellë më 8 maj, e cila duket si drita e diellit edhe sot në këtë miting të jashtëzakonshëm do të fillojë pa u gdhirë mirë më 9 maj punën për të realizuar të gjitha premtimet dhe projektet që ai dhe “Aleanca për qytetarin” kanë premtuar për të ardhmen tuaj këtu në Bashkinë e Çorovodës. Nesim Spahiu ka të gjithë mbështetjen tonë, ka mbështetjen e të gjithë koalicionit, ka mbështetjen e qeverisë, do të ketë mbështetjen e të gjithë donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në mënyrë që Çorovoda brenda këtij mandati të jetë një qytet i kërkuar nga vizitorët dhe turistët, të jetë një qytet ku të rinjtë të kenë besim se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë pikërisht këtu ku ata kanë lindur, ku fëmijët të rriten në kushte më të mira se sa sot, ku punësimi, i cili është ende një problem i rëndësishëm të marrë një zgjidhje serioze. Jam i sigurt se kjo gjë do të ndodhë.

Pa përsëritur të gjitha projektet që janë përmendi këtu ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, unë dua t’ju them se të gjitha këto projekte, të cilat do ta zhvillojnë shumë Skraparin, të cilat do ta kthejnë edhe Çorovodën në një qendër të rëndësishme të zhvillimit dhe të turizmit. Absolutisht që në plan të parë kanë realizmin e atyre projekteve që shtojnë punësimin në Çorovodë për të gjithë, e në mënyrë të veçantë për gratë dhe vajzat e Çorovodës. Në Poliçan, në vetëm një vit e gjysmë janë shtuar 300 vende të reja pune e deri në fund të këtij viti, me projektet që janë bërë e me drejtimin e shkëlqyer të Kombinatit, parashikohen të shtohen edhe mbi 1200 vende të reja pune. Sot për koalicionin tonë, pas realizimit me sukses të lëvizjes së lirë dhe pa viza të qytetarëve tanë në Evropë, prioriteti i parë, i dytë dhe i tretë mbetet punësimi, mbetet lufta kundër varfërisë për të gjitha ato familje, të cilat kanë të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e jetës. Dhe unë jam i bindur se ne do ta fitojmë edhe këtë sfidë në emër të interesit tuja, në emër të interesit të zhvillimit të këtij qyteti dhe të gjithë vendit. Më 8 maj ne do të fitojmë në të gjitha njësitë e rrethit të Skraparit.

Jo vetëm Nesim Spahiu do të fitojë këtu në mënyrë spektakolare për t’u dhënë mësim të mirë të gjithë atyre që kujtojnë që skraparllinjtë mund të blihen me 50 mijë lekësha e me miell. Por ne do të fitojmë edhe në Poliçan me Çaush Qaton, për ta shpëtuar atë popull të mrekullueshëm nga një bandit, i cili i dhunon dhe i keqtrajton për vite të tëra dhe që ka gjetur strehë pikërisht, atje ku ju e dini shumë mirë, tek krimi i organizuar. Ne do të fitojmë në Bogovë me Fadil Kapllanin, i cili është një njeri i mrekullueshëm. Ne do të fitojmë me Gazmor Hysën në komunën Qendër dhe do të fitojmë kudo në të gjithë njësitë e rrethit tonë.

Dhe mos u habisni, ne do të fitojmë të gjitha bashkitë e qarkut të Beratit, ne do të fitojmë qarkun e Beratit sepse për këtë koalicion votojnë jo vetëm anëtarë dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim e partive të tjera, por të jenë të sigurt se do të votojnë edhe shumë e shumë socialistë të ndershëm që duan progresin e Shqipërisë, që duan një Shqipëri evropiane, që duan një Shqipëri të zhvilluar, që duan një Shqipëri demokratike. Sepse ju e dini shumë mirë se socialistët asnjëherë nuk kanë qenë njerëz të dhunës, që socialistët asnjëherë nuk kanë folur me gjuhën e hakmarrjes dhe të urrejtjes.

Ndaj me votën e tyre anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, të jeni të bindur që do të votojnë për kandidatët e “Aleancës për qytetarin” në mënyrë që të shpëtojnë një herë e mirë nga zgjedha e një lidershipi kriminal që asgjë nuk e lidh me socialistët dhe me idealet e tyre për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri evropiane.

Fitore Nesim Spahiut! Fitore të gjithë kandidatëve të “Aleancës për qytetarin”! Rroftë populli ynë i mrekullueshëm i Skraparit! Lavdi përjetë dëshmorëve të Atdheut! Lavdi përjetë atyre figurave të mëdha që nxori Skrapari gjatë luftës antifashiste si Karaman Ylli, Zylyftar Veleshnja e shumë të tjerë! I paharruar kontributi që dhanë në atë luftë të rëndësishme veteranët e Skraparit. I Paharruar kujtimi i Bajram Raçit e shumë e shumë të tjerëve që luftuan dhe punuan tërë jetën në mënyrë që ky komunitet të ecë përpara, të ketë progres dhe ne jemi të sigurt që do të ecim në këtë rrugë me mbështetjen tuaj më 8 maj. Fitore!”, është shprehur Meta në fjalën e tij para mbështetësve të shumtë të Çorovodës.

Nasip Naçi

Më 8 maj do të fitojnë projektet, puna dhe platforma e zhvillimit

Në takimi elektoralë deputeti Skraparit Nasim Naçi mes të tjerave tha: “Më 8 maj do të fitojë puna, do të fitoj, platforma e zhvillimit alternativa për punë, për mirëqenie dhe jo idetë e socialistëve si kofini pas të vjelave. Së bashku ka vijuar në fjalën e tij sekretari politik i LSI-së për qarkun e Beratit jemi pjesë e kësaj fitoreje, jemi pjesë e këtij zhvillimi, jemi pjesë e këtij integrimi, jemi pjesë e lëvizjes së lirë. Këto arritje ka thënë Naço i dedikohen liderit tonë Ilir Meta që është këtu mes nesh dhe së bashku më 8 maj do të prekim fitoren që po e presim së bashku. Skrapari dhe gjithë Shqipëria do të fitojnë edhe për arsye të vazhdimit të zbatimit të projekteve në rrugën e zhvillimit. Më 8 maj do të fitojnë kandidatët tanë, pasi janë më të mirë, më të zgjedhurit më profesionistët, janë këta kandidatë që do të zbatojnë qindra projekte, pas kësaj date që do të jetë edhe data e fillimit të një zhvillimi të ri në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit tonë. Unë sot mund të përmend vetëm disa nga këto projekte që janë gati për t’u realizuar në të rrethin e Skraparit dhe që do t’i hapin rrugë punësimit si dhe zhvillimit të zonës tonë. Një nga këto projekte është koncesioni mbi lumin Osum për ndërtimin e 4 hidrocentraleve me një vlerë mbi 350 milionë euro. Gati për firmosjen e një tjetër koncesioni për uzinën mekanike të Poliçanit, ku do të hapen deri në fund të vitit mbi 1300 vende punë nga 500 që punojnë sot aktualisht në këtë uzinë. Po kështu do të do të stimulohen edhe hapja e ndërmarrjeve të prodhimeve të ndryshme njëra prej të cilave është dhe ndërmarrja e prodhimit të shportave dhe të tjera biznese ku do të punësohen brenda vitit mbi 200 gra e vajza. Ndërsa hapësira në infrastrukturë do të ketë në asfaltimin e rrugës nga Lisi Buzuqit në qytetin e Çorovodës, do të hapet loti i parë i rrugës që të lidhë me Përmetin Hambull - Çepan e më tej deri në përfundimin e saj që na lidh me Përmetin, asfaltimi i rrugës Pronavik - Novaj që do të lidhë gjithë banorët e zonës dhe turistë të vendit dhe të huaj me zonë turistike dhe Shëntorin në Kulmak. Do të asfaltohen rruga nga qytetit Çorovodë në komunës Gjerbës rrugë kjo që lidh zonën e Tomorricës dhe që ende është aktive në jetë dhe në punë me banorët e saj. Të gjitha këto projekte do të zbusin ndjeshëm papunësinë do t’ju vijë në ndihmë familjeve në nevojë do të hapin hapësira për zhvillimin e biznesit dhe të gjithë banorëve të zonës që punojnë në bujqësi e blegtori. Ajo që dua t’ju them sot është se zgjedhjet e 8 majit që na ndajnë vetëm 3 ditë do të tregojë se vota juaj do të hapë shumë hapësira në integrimin e vendit platformë që e ka në qendër të vëmendjes Lëvizja Socialiste për Integrim, që ka në qendër të vëmendjes koalicioni për “Aleanca për qytetarin”, ndaj dhe kërkojmë votën tuaj për Nesimin dhe kandidatët e këtij koalicionin në qarkun e Beratit të propozuar nga LSI-ja, si dhe nga forcat e tjera politike brenda këtij koalicioni. Një shembull i punësimit, një shembull i punës dhe i korrektësisë është kandidati juaj Nesim Spahiu. Sot unë që jam i rreshtuar në krahun e Nesimit dhe të gjithë kandidatëve të këtij koalicioni dhe si bir i kërkoj qytetit, votën për Nesimin për të vazhduar projektet tona për t’i realizuar ato në të mirën tonë në të mirë të zonës, në të mirë të gjithë Shqipërisë. Unë them se kandidatët tanë kanë një sërë arsyesh që ju dhe gjithë Shqipëria duhet t’u japin votën, pasi ata janë të përzgjedhur nga intelektualët më të mirë, profesionistë dhe qytetarë shembullor në familje dhe në shoqërinë tonë demokratike. Për këtë arsye kushdo që kërkon votën për këta kandidatë është në rrugë të mbarë, është në rrugën e fitores që jemi duke e prekur më 8 maj.

Kandidatët për kryetarë komunash dhe bashkish, të propozuara nga LSI

QARKU BERAT

1- BASHKIA URA VAJGURORE THOMA RUMNIÇI

2- KOMUNA POSHNJE KUJTIM PELIVANI

3- KOMUNA TERPAN EDMONT ZOTKAJ

4- KOMUNA VELABISHT KASTRIOT RAPAJ

5- KOMUNA VERTOP GUXIMTAR GOJKA

6- BASHKIA COROVODE NESIM SPAHIU

7- BASHKIA KUCOVE SELFO KAPLLANI

8- KOMUNA LESHNJE ILIRJAN HODO

9- KOMUNA POTOM LIRIM KOROMANI

10- KOMUNA QENDER SKRAPAR GAZMIR HYSA

11- KOMUNA VENDRESH SULEJMAN DERVISHI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›