22 marsi, Berisha: Programi ynë do të jenë të rinjtë
Kryeministri Berisha deklaroi dje se zgjedhjet e 8 majit do jenë fitore për PD-në. Berisha prezantoi indirekt Lulëzim Bashën për Tiranën.
TIRANË- Vetëm pak minuta pas fillimit të takimit festiv, me rastin e 19-vjetorit të ardhjes për herë të parë në pushtet të Partisë Demokratike, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, prezantoi Ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha, si kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës. Në koncertin e djeshëm, të organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike, u duk qartë se fushata për PD-në ka filluar vrullshëm. Por ndryshe nga vitet e tjera, koncerti i djeshëm tregoi se Partia Demokratike do të zhvillojë një fushatë festive, me më shumë muzikë e shpalosje alternativash dhe më pak politikë. Këtë e bëri kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, i cili gjatë fjalës së tij u përqendrua më së shumti në vlerat e Partisë Demokratike. Në të vetmin reagim politik të tij, Basha nxori në pah, në mënyrë elegante, edhe ndihmesën që ai ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO apo lëvizjen e lirë. Edhe Kryeministri Berisha, në një fjalim të shkurtër, iu drejtua dje më së shumti të rinjve, duke qëndruar larg sulmeve ndaj kundërshtarit e duke trumbetuar po aq shkurt fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme. Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, foli dje për herë të parë për lidhjen e tij 19 vjeçare me demokratët, dikur si vëzhguesi 17-vjeçar i zgjedhjeve të 22 marsit, ndërsa tani si kandidati zyrtar për Tiranën. “Në moshën 17-vjeçare, unë pata fatin e madh dhe isha ndoshta vëzhguesi më I ri që monitoroi procesin e zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Përfundimi i këtij procesi nuk ishte vetëm një fitore politike historike e PD-së, ajo ishte fitore e gjithë shqiptarëve, fitore e lirisë mbi shtypjen, fitore e dashurisë mbi urrejtjen, fitore e të ardhmes mbi të shkuarën”, - tha dje Basha, duke shtuar se ishte krenar që ishte pjesë modeste e PD-së. Ndërkohë, Kryeministri i vendit Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës përshëndetëse se programi i PD-së do të ishin pikërisht të rinjtë dhe ëndrrat e tyre. “Programi ynë jeni ju, programi ynë janë ëndrrat tuaja, besimi juaj, bindjet tuaja. Ndaj dhe ju ftoj të mbjellim këtë pranverë në rrugët e sheshet e Shqipërisë, në luginat, fshatrat, malet e qytetet e saj, lulet e shpresës, lulet e fitores së thellë”, - u shpreh ai. Duke marrë shkas edhe nga fjala e një vajze 19-vjeçare, që lindi pikërisht më 22 mars të vitit 1992, Berisha theksoi se kjo datë do të mbetet në memorien kombëtare, si pranvera më e bukur e të gjithë historisë së Shqipërisë. “Por 22 marsi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është fitorja e dinjitetit njerëzor të shqiptarëve. Sot unë prita një grup të rejash e të rinjsh, që patën fatin të lindin më 22 mars të vitit 1992. Ishte takim prekës dhe emocionues. Ata patën fatin e bardhë të mos jetojnë asnjë ditë të vetme në diktaturë. Vojsava ju falënderoi ju, por ne duhet të falënderojmë Vojsavën, të falënderojmë çdo të ri e të çdo të re shqiptare, të cilët qëndrojnë në udhëheqje të lirisë së shqiptarëve”, - tha ai. Sa i përket zgjedhjeve të 8 majit, Kryeministri i vendit nuk përmendi emrin e Bashës për kandidat të Tiranës, por e la të kuptohet qartë teksa iu referua prezantimit të këngëtares Ciljeta, e cila në fillim të koncertit festiv kishte prezantuar Bashën si kandidatin për Tiranën. “Sot ne ecim drejt 8 majit, ecim drejt zgjedhjeve. Çiljeta dhe Elvana i ranë pikës me kandidatin që shpallën”, - shtoi ai.