E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Në një vit rritëm punësimin dhe bizneset

Kryebashkiaku Basha gjatë analizës së djeshme

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë dje bilancin e një viti në krye të Bashkisë së Tiranës. Gjatë analizës së 365 ditëve të punës, kreu i Bashkisë më të madhe në vend solli në vëmendje premtimet e mbajtura ndaj qytetarëve dhe bizneseve si për sa i përket lehtësimit të burokracive dhe barrës nga taksat, ashtu edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Basha theksoi se objektiv do të mbetet përmbushja deri në fund e të gjithë objektivave të vendosur.
Biznesi
Ashtu sikurse u premtoi gjatë fushatës elektorale me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Basha reduktoi numrin e taksave për biznesin. Nga ana tjetër u bë e mundur hapja e një one stop shop-i për regjistrimin e biznesit, çka lehtësoi burokracitë. Të gjitha këto Basha preferoi ti jepte dje me shifra, kur u shpreh se në harkun kohor të një viti, falë punës për përmirësimin e klimës së biznesit dhe lehtësimit të barrës së taksave, është bërë i mundur regjistrimi i më shumë se 1202 bizneseve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe se janë hapur vende pune për 6091 persona.
Hipotekat
Një nga çështjet më të diskutuara dhe më problematike të Tiranës, siç janë hipotekat, u premtua për zgjidhje nga kryebashkiaku Basha. Një vit nga ardhja e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, rezulton që në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të jenë përcjellë 5781 apartamente, me përfitues direkt rreth 24 mijë qytetarë. Në proces janë dhe 97 objekte, nga të cilat 32 ose 1820 apartamente drejt përfundimit dhe 65 me shkelje teknike.
Urbanistika
Plani rregullues i Tiranës ka qenë edhe pika ku ka vënë theksin e tij Basha, dje gjatë analizës vjetore të punës së tij. Për herë të parë pas 20 vjetësh, Tirana ka një plan të përgjithshëm rregullues. Hartimi i tij u bë në harkun kohor të 10 muajve, nga specialistët më të mirë të fushës. Brenda një viti është zgjedhur projekti fitues për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Në nëntor do të jetë gati projekti teknik nga studioja britanike Grimshaw, tha Basha. Ai solli në vëmendje gjithashtu një nga projektet ambicioze, siç është trami i qytetit, për të cilin interes kanë shprehur kompani të njohura ndërkombëtare.
Infrastruktura
Infrastruktura ka qenë një tjetër sektor ku Bashkia e Tiranës ka bërë ndërhyrje të rëndësishme në rrugë, ndërtime shkollash, kopshtesh, kanalizime apo edhe parkimi nëntokësor i planifikuar. Sipas Bashkës, përveç projektit të Unazës së Madhe që është ndër më të rëndësishmit, Bashkia në një vit ka ndërhyrë dhe mirëmbajtur 180 rrugë të amortizuara, ka bërë rikualifikimin urban të 13 blloqeve urbane, ndë-rtimin dhe rikonstruksionin e 47 rrugëve, 2 urave, 15 shkollave, 14 kopshteve dhe 7 çerdheve, 3 sistemkanalizimeve.
Qytetarët dhe studentët
Në qendër të çdo vendimi të marrë përgjatë këtij viti nga Bashkia e Tiranës, në epiqendër të tij sipas kryebashkiakut Lulzim Basha kanë qenë qytetarët. Kjo përgjatë një viti u demonstrua me takimet e zhvilluara në orët e pritjes të rezervuara për qytetarët, ku 814 qytetarë kanë takuar personalisht kryebashkiakun për të shprehur kërkesat e tyre. Me shkrim për kërkesa të veçanta Bashkisë i janë drejtuar përgjatë një viti 22 682 qytetarë, nga të cilët 22 198 kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre. Një kategori e trajtuar me vëmendje sipas Bashës, është edhe ajo e studentëve, pasi tashmë karta e studentit nuk është më një premtim, por një realitet. Aktualisht janë hapur 10 pika për aplikimin online për kartën bashkiake të studentit, që rezervon lehtësime për një sërë shërbimesh për studentët që e disponojnë.

Bilanci i një viti pune
Biznesi dhe punësimi

n    U reduktuan dhe u hoqën 60 taksa, tarifa leje e licenca.
n    U përmirësua klima e biznesit, u hap sporteli unik për bizneset.
n    U regjistruan 1202 biznese më shumë se një vit më parë.
n    U rrit punësimi me 6091 persona për vetëm një vit.
n    BE financon 700 mijë euro për nxitjen e biznesit të vogël.

Hipotekat
n    Kanë përfunduar procedurat dhe janë dërguar në Hipotekë 5781 apartamente, me përfitues direkt rreth 24 mijë qytetarë.
n    Janë në proces 97 objekte, nga të cilat 32 drejt përfundimit.

Urbanistika
n    Tirana ka për herë të parë pas 20 vitesh një plan rregullues.
n    Është zgjedhur projekti fitues për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Në nëntor do të jetë gati projekti teknik.
n    Në bashkëpunim me BERZH po avancon realizimi i terminalit multimodal të pasagjerëve.
n    Për tramvajin ka interes nga kompani prestigjioze botërore.

Infrastruktura
n    Është hartuar projekti për Unazën e Madhe, segmenti nga Shkolla Teknologjike deri te qendra Kristal, tenderohet këto ditë.
n    Është drejt përfundimit projekti për sistemimin e shtratit të Lanës, deri në urën e Shkozës.
n    Ka nisur puna për parkimin e parë nëntokësor në Tiranë, në sheshin Italia.
n    Janë riparuar 180 rrugë, tërësisht të amortizuara.
n    Kanë përfunduar ose janë në fazë tenderimesh, rikualifikimi urban i 13 blloqeve urbane, ndërtimi dhe rikonstruksioni i 47 rrugëve, 2 urave, 15 shkollave, 14 kopshteve dhe 7 çerdheve, 3 sistem- kanalizime.
n    Po punohet në rrethrrotullimin e Doganës.
n    Brenda muajit, nisin punimet për rrugën e Brrylit.
n    Nis ndërtimi i 6 rrugëve të reja.
n    Bashkia mori aksionet e Ujësjellësit dhe garantoi furnizimin me ujë të 40 mijë banorëve te Kodra e Priftit.
n    U hap sheshi Skënderbej dhe u mbollën 800 pemë, ndotja u ul 30%
n    U shtuan dy hapësira të gjelbra, lulishtja pas Pallatit të Kulturës dhe te Don Bosko.
n    Janë mbjellë 3850 pemë dhe deri në fund të vitit, do mbillen 10 mijë.

Studentët dhe qytetarët
n    Janë hapur 10 pika për aplikimin online për kartën bashkiake të studentit.
n    66,594 qytetarë/subjekte i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës për të marrë informacione, kryer aplikime etj;
n    22,682 qytetarë/subjekte kanë bërë aplikime me shkrim.
n    22,198 qytetarë/subjekte kanë marrë përgjigje për aplikimet me shkrim.
n    814 qytetarë janë takuar me kryetarin e Bashkisë dhe të gjitha kërkesat e tyre janë trajtuar nga drejtoritë përkatëse.

Tahiri: Basha po punon për veten
Partia Socialiste ka vlerësuar krejt ndryshe punën e bërë gjatë një viti në Bashkinë e Tiranës, duke e vlerësuar atë si negative. Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Sajmir Tahiri, u shpreh dje se Lulzim Basha gënjen dhe se premtimet e bëra gjatë fushatës prej tij nuk janë mbajtur. Tahiri nuk është kursyer në deklaratat e tij, duke akuzuar se kryebashkiaku prej një viti nuk punon për qytetarët, por për njerëzit rreth vetes.

Dalipi: Nuk u mbajtën premtimet
Kreu i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, ka numëruar mosmbajtjen e premtimeve nga ana e kryetarit të Bashkisë, Luzlim Basha. Sipas Dalipit, nuk ka pasur ulje të taksave për biznesin, nuk janë bërë investime në infrastrukturë, nuk ekziston një plan urbanistik i bërë publik dhe, mbi të gjitha, sipas tij Tirana po rrezikon të mos jetë qytet i qytetarëve, por i konfliktit të klientelës së qeverisë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›