E Shtunë, 31 Tetor 2026

TAP apel Greqise per mbeshtetje

Përfaqësues të konsorciumit për ndërtimin e gazsjellësit TAP kërkojnë mbështetjen e qeverisë greke për të fituar garën ndaj projektit tjetër Nabucco për hapjen e korridorit të jugut të gazit natyror. Për drejtuesit e TAP, Greqia duhet të përshpejtojë me vendimin për mbështetjen e projektit pasi afati përfundimtar për ndërtimin e gazsjellësit është në limitet e tij, duke kujtuar se ndoshta mund të jetë edhe brenda këtij viti. Për këtë arsye, përfaqësuesit e konsorciumit, theksojnë  se kanë marrë mbështetjen e qeverive të vendeve të tjera që janë të përfshira në projektin TAP,  siç është ajo shqiptare, e cila ka shprehur në mënyrë të prerë mbështetjen e saj. Përfaqësuesit e TAP kanë theksuar se nëse Athina mbështet projektin kundërshtar, Nabucco, atëherë Greqia do të gjendet jashtë korridorit jugor të gazit natyror. Ndërsa, ndërtimi i TAP e vendos Greqinë në epiqendër të hartës europiane të energjisë, ndërkohë që do të shërbejë edhe si një sinjal besimi ndaj ekonomisë greke. Për të diskutuar mbi këtë çështje sot përfaqësia e konsorciumit do të takohet me zëvendësministrin grek të energjisë, Asimaki Papageorgiu.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›