Prishtinë, lamtumira e fundit poetit Ali Podrimja

Poeti, Ali Podrimja
PRISHTINE- Ceremoni me poezi dhe muzike per nderimin e fundit te poetit Ali Podrimja.
Trupi i pajetë i tij mberriti paradite ne Prishtine.
Homazhet ne nder te tij zgjasin dy ore ne ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari arkivolin me trupin e poetit e priti një delegacion i ASHAK-ut, në përbërje të kryetarit Hivzi Islami, nënkryetarit Pajazit Nushi dhe akademikëve Mehmet Kraja e Rexhep Ismajli. Përveç familjarëve, kishin dalë edhe miq të poetit e adhurues të poezisë së tij, si dhe zyrtarë.
Nga mesdita (12:00) për dy orë kortezhi me trupin e pajetë të akademik Podrimjes do të qendrojë në ambientet e ASHAK-ut ku do ti bëhen homazhe. Nisja për në varrezat e Prishtinës bëhet në orën 14:00, përderisa varrimi do të bëhet në orën 14:30.
Percjellje me muzike
Kompozitori Rauf Dhomi, ka thene se poeti i ndjerë Ali Podrimja kishte përmendur dëshirën që varrimi i tij të përcillej me muzikë. Ai kujton se poeti kohëve të fundit kishte shpeshtuar bisedat për vdekjen. Ka kohë që thoshte se po vdes, por ka qenë një lajtmotiv që ne si kemi besuar. Më pati thënë kur të vdes unë më përcillni me tinguj të orkestrës, kujton Dhomi. Amaneti i poetit të ndjerë do të çohet në vend.
Për dy orë sa do të zgjasin homazhet në AshAK, një kuartet harkor nga Tirana do të interpretojë pjesë të veprave mortore, derisa dy poetë kosovarë do të lexojnë poezi nga vepra më e njohur e Podrimjes Lum Lumi.
Lendita Pula, sekretare e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, ka thënë se institucioni më i lartë akademik në vend është kujdesur të organizojë një ceremoni të denjë për të nderuar Podrimjen.
Meqë Ali Podrimja ka qenë anëtar i Akademisë, ne konsiderojmë se kjo është shtëpia e tij e dytë dhe meqë e kemi hapësirën e mjaftueshme dhe të gjitha kushtet, besoj që do të jetë ceremoni siç e ka merituar i ndjeri, ka thënë Pula. Pula ka shtuar se përgatitjet për homazhe janë bërë nga ASHAK-u në koordinim me familjen e poetit dhe ka njoftuar se pjesëmarrjen në ceremoninë lamtumire për Podrimjen e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave e Arteve të Shqipërisë. Për Pulën, vdekja e Podrimjes është një humbje e madhe për gjithë stafin e ASHAK-ut.
Jemi mësuar ta shohim çdo ditë në Akademi, me humorin e lehtë, me modestinë, me respektin jo vetëm për anëtarët, por edhe për gjithë stafin administrativ të akademisë, ka thënë ajo.
Homazhet dyorëshe para trupit të pajetë të Podrimjes do të shoqërohen me tinguj të kuartetit harkor shqiptar dhe lexim të poezive nga aktorët Çun Lajçi e Ilire Vinca.
Ka qenë në promovimin për herë të dytë që i ka bërë përmbledhjes Lum lumi. Kjo gjë sa është nder, është edhe dhimbje e rëndë për mua, ka thënë Lajçi.
Shpresojmë që për dy orë të kapërcejmë nëpër lexim gjithë veprën. Nuk do të jetë recitim, por do ti përshtatemi atmosferës mortore, ka thënë ai.
Aktorja Ilire Vinca ka thënë se ka pasur rast ta njohë për së afërmi poetin dhe është e nderuar, por të njëjtën kohë ndien dhimbje që do të lexojë poezitë e tij para arkivolit.
Kam kujtim shumë të freskët për të edhe si njeri, por edhe si poet. Me shumë dhimbje, por të njëjtën kohë edhe me nder do të lexoj poezitë e tij me shpresë që do të jehojnë në veshët e të gjithëve që vijnë për të bërë homazhe, ka thënë Vinca. Është një simbolizim që fjala e tij nuk vdes kurrë, ka shtuar ajo.
Pika e fundit e funeralit të Ali Podrimjes do të jetë interpretimi i këngës Lamtumirë nga Kori i Burrave të Gjakovës.
Element i fundit është kënga lamtumire që këndohet nëpër varrime, e cila që nga vitet 80 u këndohet kryesisht martirëve dhe emrave të njohur të shkencës e politikës me rastin e vdekjes, ka thënë akademik Rauf Dhomi.
Autoritetet franceze kanë konfirmuar të martën se poeti Ali Podrimja vdiq natyrshëm. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje. Ambasadori Muhamedin Kullashi ka thënë për gazetën se konstatimi kryesor i këtij raporti është se për vdekjen e poetit kosovar bëhet fjalë për vdekje natyrale.
Trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet të shtunën e 21 korrikut, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet tri ditë më herët. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati tek pas 15 ditësh. Atë po e kryen Klinika e Mjekësisë Ligjore në Montpellier, ku ishte dërguar trupi i pajetë i poetit.
Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë Zërat e Mesdheut. Të martën ai kishte folur për gazetën, ku kishte shprehur përshtypjet e tij për përfaqësimin që po i bënte kulturës shqiptare në këtë festival. Me organizatorët e këtij festivali ka folur të mërkurën rreth orës 10:00, që konsiderohet të jetë telefonata e fundit që poeti ka pasur. (express)